Një përfaqësues i diasporës ka marrë fjalën në protestën e 91-të të zhvilluar mbrëmjen e sotme para Kryeministrisë.
Në fjalën e tij, ai renditi disa nga kërkesat që, sipas tij, diaspora shqiptare ka ndaj institucioneve.
Ai kërkoi që shqiptarët që jetojnë jashtë vendit të mos trajtohen si “turistë”, por si qytetarë shqiptarë.
“Na quani qytetarë shqiptarë, mos na quani turistë”, u shpreh ai, duke theksuar kontributin e diasporës për Shqipërinë.
Një tjetër kërkesë e rëndësishme ishte garantimi i plotë i votës së diasporës.
Sipas tij, shqiptarët që jetojnë jashtë vendit duhet të kenë mundësi të votojnë me dokumente shqiptare.
Ai kërkoi gjithashtu përfaqësim të diasporës në Kuvendin e Shqipërisë.
Sipas përfaqësuesit, komunitetet shqiptare në vende të ndryshme përballen me problematika të ndryshme dhe kanë nevojë për zërin e tyre në Parlament.
Ai përmendi Greqinë, Italinë, Norvegjinë, Britaninë dhe SHBA-në si vende ku diaspora ka nevoja të ndryshme.
Një tjetër pikë e ngritur ishte krijimi i mundësive më të mëdha ekonomike për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit.
Ai kërkoi hapjen e zonave të lira ekonomike, me synimin për të nxitur investimet dhe rikthimin e diasporës në Shqipëri.
Në fund, ai deklaroi se diaspora duhet të ketë një rol më të madh në zhvillimin ekonomik dhe politik të vendit.
“Jam i sigurt që së bashku me diasporën do të arrijmë t’i heqim këta nga pushteti”, deklaroi ai, duke iu referuar drejtimit aktual të vendit.










Discussion about this post