GIJOTINA
  • Lajme
    • Politikë
    • Aktualitet
    • Ekonomi & Sociale
    • Kosovë & Rajon
    • Botë
  • Fact-Checking & Analize
  • OP-ED
    • Opinion
    • Editorial
    • Sondazh
  • Intervista
  • Sport
  • Të tjera
    • Art & Kulturë
    • Teknologji
    • Shëndet & Fitness
    • Kuriozitete
    • Show Biz
    • Lifestyle
    • Horoskopi
    • Moti
Nuk ka rezultat
View All Result
GIJOTINA
Nuk ka rezultat
View All Result
Fillimi Lajme Kosovë & Rajon

“Shpresë dhe frikë”/ Familjarët e të zhdukurve në Kosovë presin me ankth rezultatet e zhvarrimeve

në Kosovë & Rajon
Kohë leximi: 6 min
A A
“Shpresë dhe frikë”/ Familjarët e të zhdukurve në Kosovë presin me ankth rezultatet e zhvarrimeve
Facebook Twitter LinkedIn WhatsApp

Një park i gjerë me lodra e gjelbërim, në qendrën e qytetit të Skenderajt, është bërë destinacion i çdo mbrëmjeje për Flora Rrecajn. Brenda këtij parku, tash e disa vite qëndron busti i Idriz Rrecajt, babait të Florës, i zhdukur që nga 19 prilli i vitit 1999.

Idriz Rrecaj, i dekoruar më 2019 si “Hero i Kosovës”, ishte veprimtar politik, i cili së bashku me 22 persona të tjerë shqiptarë, të njohur si “grupi i intelektualëve”, u zhduk në kohën kur lufta e forcave serbe në Kosovë ishte intensifikuar.

“Babai im nuk ka qenë vetëm prindi ynë… Ka qenë intelektual i shquar. Babai im ka qenë patriot. Ka qenë një person që krejt jetën e tij ia ka kushtuar këtij vendi dhe këtyre njerëzve”, thotë Flora Rrecaj për Radion Evropa e Lirë.

Flora Rrecaj në parkun që mban emrin dhe bustin e Idriz Rrecajt, babait të saj të zhdukur që nga 19 prilli i vitit 1999.
Në mungesë të një varri ku familja e mbetur prej tetë anëtarësh do të mund t’ia bënte nderimet, ky park në qytetin veriperëndimor të Kosovës është bërë i vetmi vend ku Flora Rrecaj mund ta ndiejë afërsinë e të atit dhe ta kujtojë atë.

Që nga zhdukja e Idriz Rrecajt, para 27 vjetësh, Flora dhe familjarët e tjerë e kërkuan atë nëpër lista të burgjeve në Serbi, dëshmi, informata të pakonfirmuara dhe vende ku herë pas here zbuloheshin mbetje mortore.

Tani, përveç bustit në Skenderaj, në jetën e Flora Rrecajt dhe familjes së saj ka hyrë edhe një vend tjetër: komuna veriore e Zubin Potokut, rreth 1 orë larg Skenderajt.

Në Kalludër të Vogël dhe në Jabukë – fshatra të kësaj komune kosovare, të banuar me shumicë serbe – autoritetet së voni zbuluan varreza masive. Dyshimet fillestare janë se mbetjet e gjetura mortore atje mund t’iu përkasin 23 shqiptarëve të zhdukur, në mesin e të cilëve ishte edhe Idriz Rrecaj. Zhvarrimi i mbetjeve përfundoi më 21 gusht.

Por, emri i Kalludrës së Vogël nuk është shfaqur për herë të parë tani.

Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, një dëshmitar serb u kishte dhënë Misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) dhe Policisë së Kosovës, qysh më 7 shkurt 2003, informata për vrasjen e 23 civilëve shqiptarë dhe për varrosjen e fshehtë të trupave të tyre në luginën e këtij fshati.

U deshën më shumë se dy dekada që kërkimet të çonin deri te varreza masive.

“Përveç atij që e ka një familjar, apo një të afërm të zhdukur, askush nuk mund ta përshkruajë këtë dhimbje, dëshpërim dhe pritje. Shumë shpesh jemi ndier të zhgënjyer, dhe të është dukur se askush nuk po bën asgjë. Nuk dua ta fajësoj askënd, apo t’ia drejtoj gishtin askujt, por e them me të drejtën e botës se ndoshta nuk është punuar sa duhet për këta njerëz”, shprehet Flora Rrecaj.

Por, shpresa se pritjes mund t’i vijë fundi, sipas saj, shoqërohet edhe me frikën se analizat e ADN-së mund të tregojnë se Idriz Rrecaj nuk është në mesin e mbetjeve të gjetura.

“Ta them troç, janë ndjenja të përziera. Janë ndjenjat e dhimbjes, ndjenjat e shpresës, por janë edhe ndjenjat e frikës. Pas kaq shumë vitesh, tash e ke një frikë prej përgjigjes. Por, megjithatë, është e domosdoshme dhe shumë e nevojshme të dihet e vërteta”, thotë ajo.

Nga varri te emri: Sa gjatë mund të shkojë procesi i identifikimit?

Zbulimi dhe zhvarrosja e mbetjeve mortore, sipas institucioneve, janë vetëm hapat e parë në kuadër të një procesi që mund të zgjasë me muaj, e në rastet më të ndërlikuara edhe me vite.

Në rastin e Kalludrës së Vogël dhe Jabukës, institucionet kishin kërkuar për varrezë masive edhe më herët.

Agron Limani, kryesues i Komisionit Qeveritar kosovar për Persona të Zhdukur, thotë për Radion Evropa e Lirë se kërkimet e mëparshme u ishin afruar varrezave, por se nuk kishin qëlluar në lokacionin e saktë. Sipas tij, informatat e siguruara nga Policia e Kosovës, si dhe arrestimi i tre personave të dyshuar për përfshirje në krim, çuan deri te tri lokacionet e sakta, ku u gjetën mbetjet mortore.

Por, edhe kur gjendet një varrezë masive, rruga nga eshtrat deri te një emër përfshin disa institucione, dhe disa faza hetimore e shkencore.

Fillimisht, Policia e siguron dhe e shenjëzon lokacionin. Informohet Prokuroria Speciale, e cila kërkon nga gjykata lejen për gërmime. Ekspertët e Institutit të Mjekësisë Ligjore më pas i zhvarrosin dhe i ekzaminojnë mbetjet, dokumentojnë gjendjen e tyre dhe marrin mostra nga eshtrat.

Mostrat dërgohen në laboratorin e Komisionit Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur (ICMP) në Hagë, Holandë, ku profili i ADN-së nga mbetjet mortore krahasohet me profilet referuese të familjarëve të personave të zhdukur.

“Pa analizën e ADN-së, dhe pa përputhjen e mostrave të mbetjeve eshtërore me mostrat e gjakut, nuk mund të thuhet me siguri 100 për qind [se kujt i përkasin]”, thotë Limani.

Në rastin e Zubin Potokut, sipas tij, numri i mbetjeve të gjetura, vendi dhe dëshmitë e mbledhura kanë nxitur dyshimin se ato mund t’i përkasin “grupit të intelektualëve të Mitrovicës”.

“Rrethanat dhe dëshmitë përputhen me mbetjet mortore”, thotë Limani.

Megjithatë, Samira Krehiq, udhëheqëse e ICMP-së për Ballkanin Perëndimor, paralajmëron se identiteti i viktimave nuk mund të përcaktohet mbi bazën e numrit, lokacionit apo të dhënave për mënyrën e zhdukjes.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ajo thotë se ICMP-ja lëshon raportin e përputhjes vetëm kur lidhja ndërmjet ADN-së së mbetjeve dhe mostrave të familjarëve arrin një siguri mbi 99.95 për qind.

“Vetëm pasi ta dimë me siguri identitetin individual të të gjitha viktimave të gjetura, mund të fillojë rindërtimi i ngjarjes, jo anasjelltas”, thekson Krehiq.

Se sa do të zgjasë procesi, institucionet thonë se nuk mund të parashikohet.

Shpejtësia varet nga gjendja e mbetjeve, ndikimi i kohës dhe mjedisit në ADN, fragmentimi apo përzierja e eshtrave, cilësia e mostrave të marra, dhe nëse ICMP-ja ka mostra të mjaftueshme referuese nga familjarët.

Sipas ICMP-së, në disa raste, analizat duhet të përsëriten, ose të kërkohet një mostër tjetër nga eshtrat. Kur familja nuk ka dhënë mostra të mjaftueshme, përputhja mund të mbetet pezull derisa të sigurohet një mostër nga një i afërm tjetër.

Për Lutfije Ademi Vokshin, ky interval, ndërmjet gjetjes së eshtrave dhe konfirmimit të një emri, është vazhdim i një pritjeje që ka nisur më 1999.

Vëllai i saj, kirurgu Adem Ademi, ishte një nga 23 personat e zhdukur. Për gati tri dekada, ajo nuk e largoi plotësisht mendimin se ai mund të ndodhej diku pranë fshatit Drenë të Zubin Potokut.

Lutfije Ademi Vokshi duke vizituar zonën gërmimit të varrit masiv, ku dyshohet se ishin edhe mbetjet mortore të vëllait të saj të zhdukur, Adem Ademi.
Kur mbetjet mortore u gjetën në Kalludër të Vogël, rreth tre kilometra e gjysmë larg Drenës në vijë ajrore, Lutfije Ademi Vokshi thotë se nuk kishte mundur të fliste dhe se vetëm i kishin rrjedhur lotët.

Në një intervistë të mëhershme për Radion Evropa e Lirë, ajo shpresonte se më në fund do ta kishte një varr ku, për festa, ditëlindje apo Bajram, do të mund të çonte lule dhe “të shkonte të fliste” me vëllain.

Por, deri në përfundimin e analizave, ajo nuk e përjashton mundësinë që Adem Ademi të mos jetë në mesin e mbetjeve të gjetura.

Për familjet që presin prej 27 vjetësh, çdo vonesë e re e zgjat një ankth që, sipas Agron Limanit, është bërë “torturues”.

Ai e njeh këtë pritje edhe personalisht. Limani është nga Krusha e Vogël, në Komunën e Prizrenit, ku mbi 60 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur Në mesin e tyre janë edhe tre familjarë të tij.

“Kemi pasur raste kur familjarët kanë thënë: ‘Dua ta kem së paku një gisht, një kockë të gishtit, ta varros dhe ta di ku e kam varrin e djalit, bashkëshortit apo vëllait. Ta di që, në çdo përvjetor apo festë, mund t’i respektojmë dhe t’i nderojmë”, thotë ai.

Agron Limani, kryetar i Komisionit për Persona të Zhdukur në Kosovë. Pas luftës, sipas Limanit, shumë familje shpresonin se të zhdukurit mund të ishin ende gjallë. Me kalimin e viteve, ato u pajtuan me shpresën më të dhimbshme: që të gjenin të paktën eshtrat e tyre.

“Kur kjo pritje zgjat, ajo është torturuese për familjarët”, thotë Limani.

Sipas Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, 1.577 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur nga lufta e viteve 1998-1999, ndërsa janë dokumentuar gjithsej 12.230 viktima të luftës.

Kosova ka kërkuar vazhdimisht nga Serbia bashkëpunim për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur dhe qasje në arkivat ushtarake që, sipas autoriteteve, mund të ndihmojnë në identifikimin e lokacioneve të varreve të mundshme./REL

Etiketa: Kosovezhvarrime

Lajme të lidhura

Përplasja me BE-në për gjyqtarët serbë, reagon Gërvalla: Në Kosovë ligji nuk negociohet
Kosovë & Rajon

Përplasja me BE-në për gjyqtarët serbë, reagon Gërvalla: Në Kosovë ligji nuk negociohet

08:30 - 30/08/26
Albin Kurti: Shqiptarët në Luginën e Preshevës po përballen me shkelje të të drejtave të njeriut
Aktualitet

Albin Kurti: Shqiptarët në Luginën e Preshevës po përballen me shkelje të të drejtave të njeriut

17:05 - 29/08/26
Gjykata e Apelit rrëzon Prokurorinë, ish-kryeministri Nikola Gruevski shpallet i pafajshëm
Kosovë & Rajon

Gjykata e Apelit rrëzon Prokurorinë, ish-kryeministri Nikola Gruevski shpallet i pafajshëm

15:29 - 27/08/26
Para
Erjona Ismaili jep dorëheqjen dhe largohet nga bashkëdrejtimi i Partisë Socialiste në Vlorë

Erjona Ismaili jep dorëheqjen dhe largohet nga bashkëdrejtimi i Partisë Socialiste në Vlorë

Discussion about this post

TË FUNDIT

Beteja për liqenin, Kanadaja sfidon Trump dhe vendos tabelën: Ontario, sot dhe gjithmonë
Botë

Beteja për liqenin, Kanadaja sfidon Trump dhe vendos tabelën: Ontario, sot dhe gjithmonë

17:40 - 30/08/26

Kryeministri i Ontarios, Doug Ford, i është përgjigjur presidentit amerikan Donald Trump pas vendimit të këtij të fundit për të...

Lexo më shumë
Spektakël  me 7 gola në “Stamford Bridge”, Chelsea merr një fitore dramatike ndaj Brighton

Spektakël me 7 gola në “Stamford Bridge”, Chelsea merr një fitore dramatike ndaj Brighton

17:21 - 30/08/26
Zjarri në Mat del jashtë kontrollit, përfshihet  nga flakët pylli me pisha në Trodhen

Zjarri në Mat del jashtë kontrollit, përfshihet nga flakët pylli me pisha në Trodhen

17:04 - 30/08/26
Erjona Ismaili jep dorëheqjen dhe largohet nga bashkëdrejtimi i Partisë Socialiste në Vlorë

Erjona Ismaili jep dorëheqjen dhe largohet nga bashkëdrejtimi i Partisë Socialiste në Vlorë

16:47 - 30/08/26
“Shpresë dhe frikë”/ Familjarët e të zhdukurve në Kosovë presin me ankth rezultatet e zhvarrimeve

“Shpresë dhe frikë”/ Familjarët e të zhdukurve në Kosovë presin me ankth rezultatet e zhvarrimeve

16:36 - 30/08/26

GIJOTINA

Gijotina është media e pavarur, e iniciuar nga gazetarë profesionistë dhe të rinj, të karakterizuar nga paanshmëria, që sjellin tek ju gjithçka ndodh në Shqipëri, me lajme të shpejta, cilësore, investigime, fact-checking dhe analiza, duke denoncuar çdo shkelje apo abuzim ndaj qytetarëve shqiptarë.

KONTAKT

  • Contact page
  • [email protected]
  • [email protected]
  • [email protected]

Harta e Faqes

Nuk ka rezultat
View All Result
  • Lajme
    • Politikë
    • Aktualitet
    • Ekonomi & Sociale
    • Kosovë & Rajon
    • Botë
  • Fact-Checking & Analize
  • OP-ED
    • Opinion
    • Editorial
    • Sondazh
  • Intervista
  • Sport
  • Të tjera
    • Art & Kulturë
    • Teknologji
    • Shëndet & Fitness
    • Kuriozitete
    • Show Biz
    • Lifestyle
    • Horoskopi
    • Moti

© 2022 Gijotina Dev By Techzero1.com