Prokuroria e Posaçme, ka marrë në pyetje biznesmenin Alban Eftimi, në kuadër të hetimeve që po zhvillohen ndaj ish-numrit dy të qeverisë Rama, Belinda Balluku.
Biznesmeni i kompanisë “Atelier 4”, është paraqitur këtë të enjte në ambientet e Prokurorisë, për të dhënë dëshminë e tij para hetuesve.
Marrja në pyetje e Eftimit vjen pas kontrolleve të kryera në fund të muajit korrik në ambientet e kompanisë “Atelier 4”, ku hetuesit sekuestruan dokumente dhe materiale të ndryshme.
Sipas informacioneve, materialet e sekuestruara dyshohet se kanë lidhje me arredimin e një vile luksoze në jug të vendit. Dokumentacioni po shqyrtohet nga prokurorët dhe po ballafaqohet me të dhëna dhe prova të tjera të mbledhura gjatë hetimit.
Në qendër të verifikimeve ndodhet një vilë në Dhërmi, e cila është sekuestruar më herët nga autoritetet. Hetuesit po verifikojnë dyshimet se prona mund të jetë pasuri e padeklaruar dhe nëse ka lidhje me Belinda Ballukun.
Hetimi ndaj ish-zëvendëskryeministres përfshin dyshime për korrupsion dhe pastrim parash, ndërsa SPAK po verifikon edhe rrethana të tjera që mund të lidhen me pasuritë dhe aktivitetet e saj.
Ndërkohë, Belinda Balluku është e pandehur edhe në një çështje tjetër penale, ku akuzohet për shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera ose ankande publike.
Kjo dosje lidhet me procedurat për ndërtimin e tunelit të Llogarasë dhe lotet e Unazës së Jashtme të Tiranës.










Discussion about this post