Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 39 vatra zjarri në të gjithë vendin, 11 prej të cilave vijojnë të mbeten aktive, ndërsa 3 janë nën mbikëqyrje dhe 25 janë shuar plotësisht.
Në terren janë angazhuar 881 forca operacionale, 75 automjete zjarrfikëse dhe 340 efektivë të Forcave të Armatosura, ndërsa operacionet janë mbështetur edhe nga helikopterët e Forcës Ajrore dhe një avion Air Tractor.
Megjithatë, përballë përhapjes së zjarreve dhe nevojës për ndërhyrje të shpejtë, situata ka nxjerrë sërish në pah problemet e kapaciteteve të emergjencave civile. Vonesat në ndërhyrje, vështirësitë për të mbërritur në vatra të izoluara dhe mungesa e mjeteve të mjaftueshme për të përballuar njëkohësisht disa vatra zjarri mbeten një problem serioz në menaxhimin e situatave emergjente.
Fakti që në të njëjtën kohë janë aktive vatra në Tiranë, Dibër, Lezhë, Shkodër, Durrës, Fier dhe Vlorë tregon edhe vështirësinë për të shpërndarë burimet në mënyrë efikase në të gjithë territorin. Numri i lartë i forcave të angazhuara nuk përkthehet domosdoshmërisht në një reagim të menjëhershëm, veçanërisht kur përballë situatave të mëdha kapacitetet logjistike dhe mjetet në dispozicion janë të kufizuara.
Për ditën e sotme parashikohet angazhimi i 380 forcave ushtarake, dy helikopterëve dhe një avioni Air Tractor, ndërsa vijon monitorimi i vatrave aktive.
Në Fier dhe Himarë, ku situata ka qenë më e rëndësishme gjatë 24 orëve të fundit, rreziku për zonat e banuara është shmangur dhe operacionet për shuarjen e zjarreve vijojnë.
Në Himarë, në lagjen “1 Maji”, 36 persona u evakuuan për shkak të rrezikut nga flakët, ndërsa gjashtë banesa u prekën nga zjarri, tre prej të cilave ishin të banuara.
Situata ngre pikëpyetje jo vetëm për kapacitetet njerëzore të angazhuara në terren, por edhe për gatishmërinë reale të strukturave të emergjencave civile, pajisjet, automjetet dhe logjistikën në dispozicion për raste kur disa vatra shpërthejnë njëkohësisht.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin dhe koordinimin e situatës në të gjithë territorin, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.










Discussion about this post