Me vendim të Gjykatës së Lezhës, forcat e policisë kanë ushtruar kontrolle në pesë banesa të pjesëtarëve të familjes Reçi dhe personave të afërm apo të njohur të tyre, në kuadër të hetimeve për zbardhjen e vrasjes së Viktor Bardhit.
Sipas raportimeve, aksioni ka pasur si objektiv kryesor gjetjen e provave materiale, mjeteve apo sendeve të tjera komprometuese që mund të lidhen me ekzekutimin e viktimës. Bardhi u qëllua për vdekje ndërsa ndodhej brenda automjetit të tij nga persona ende të paidentifikuar, të cilët përdorën një armë zjarri të llojit pistoletë me silenciator.
Grupi hetimor po vijon punën në terren për sekuestrimin e çdo të dhëne dhe analizimin e pistave të mundshme që lidhin përplasjet e mëparshme apo konfliktet mes palëve me këtë ngjarje të rëndë kriminale.
Viktor Bardhi u ekzekutua paraditen e 3 shtatorit, rreth një kilometër larg banesës së tij në fshatin Ndërfushas, teksa po shkonte drejt ujësjellësit për të hapur linjën e furnizimit me ujë. Pranë një nënkalimi, autorët dyshohet se i kishin zënë pritë dhe qëlluan me breshëri në drejtim të automjetit të tij, duke përdorur të paktën 30 plumba. Automjeti u konstatua më pas nga banorët e zonës, të cilët njoftuan Policinë.
Si nisi saga e përplasjeve Bardhi-Reçi
Një prej episodeve kryesore të konfliktit mes familjeve Bardhi dhe Reçi daton më 26 mars 2023. Gjithçka nisi pas një përplasjeje mes Saimir Reçit dhe disa personave të lidhur me familjen Bardhi.
Reçi deklaroi para hetuesve se kishte konstatuar disa persona pranë banesës së tij dhe se njëri prej tyre po filmonte. Pas një konflikti fizik, situata u përshkallëzua.
Pak më vonë, Saimir Reçi u qëllua me armë në qendër të Rrëshenit. Sipas dëshmisë së tij, nga një automjet “Audi” kishin zbritur Martin Bardhi, djali i tij Erind Bardhi dhe Kristjan Bardhi, të cilët kishin hapur zjarr ndaj automjetit të blinduar me të cilin ai udhëtonte.
Plumbat nuk depërtuan në kabinën e mjetit dhe Reçi arriti të largohej. Për këtë ngjarje, Martin Bardhi u arrestua nën akuzat për vrasje me paramendim të mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje. Në korrik 2023, Gjykata e Lezhës ndryshoi masën e sigurisë ndaj tij nga “arrest në burg” në “detyrim paraqitjeje”, ndërsa Erind Bardhi vijoi të ishte në kërkim.
Ekzekutimi i Martin Bardhit
Rreth dy muaj më vonë, Martin Bardhi u ekzekutua. Për shkak të konfliktit të mëparshëm, një nga pistat që u mor në shqyrtim nga hetuesit ishte pikërisht përplasja me familjen Reçi.
Saimir Reçi u mor në pyetje dhe mohoi çdo përfshirje në vrasje, duke deklaruar se në momentin e të shtënave ndodhej në banesën e tij. Edhe pjesëtarë të tjerë të familjes mohuan përfshirjen.
Hetuesit verifikuan lëvizjet dhe komunikimet e personave që mund të kishin lidhje me konfliktin. Në dosje përmenden edhe telefona të sekuestruar dhe të dërguar për ekspertizë, pasi në disa prej tyre nuk u gjetën të dhëna komunikimi. Këto rrethana, megjithatë, nuk përbëjnë në vetvete prova për përfshirjen e personave të kontrolluar në vrasje.
Vrasja e Kastriot Reçit dhe dyshimet më të hershme
Hetimet kanë ngritur gjithashtu dyshime se konflikti mund të ketë rrënjë më të hershme, duke rikthyer vëmendjen te vrasja e Kastriot Reçit më 7 janar 2020 në qendër të Rrëshenit.
Kastriot Reçi, pronar i televizionit “Media Plus”, u ekzekutua me snajper nga distanca. Vrasja mbeti e rrethuar nga pikëpyetje, ndërsa në materialet hetimore është përmendur një episod që lidhet me Martin Bardhin.
Sipas dosjes, gjatë largimit pas ekzekutimit, një person i dyshuar si autor është afruar pranë një automjeti ku ndodhej Martin Bardhi dhe i ka bërë shenjë drejtuesit që t’i lironte rrugën. Ky episod kishte ngritur dyshime te familja Reçi për një rol të mundshëm të Bardhit në ndihmën ndaj autorëve.
Megjithatë, kjo ka mbetur një pistë dhe nuk përbën një fakt të provuar me vendim gjyqësor.










Discussion about this post