Një shpërthim i fuqishëm ka tronditur mëngjesin e sotëm zonën e Bërrylit në Tiranë, duke shkaktuar plagosjen e tre punonjësve dhe dëme të konsiderueshme materiale në një karburant.
Sipas të dhënave paraprake, shpërthimi dyshohet se ka ardhur nga një bombol gazi në ambientet e karburantit, ku kryhet furnizimi i automjeteve.
Si pasojë e shpërthimit, një strukturë njëkatëshe është dëmtuar rëndë dhe pjesërisht është shembur. Brenda saj akomodoheshin edhe punonjësit e karburantit.
Në momentin e ngjarjes, në ambientet e karburantit ndodhej edhe një automjet që po furnizohej me gaz. Nuk dihet ende nëse ka persona të tjerë të përfshirë apo të dëmtuar.
Tre punonjësit e plagosur janë transportuar në spital për të marrë ndihmë mjekësore. Gjendja e tyre shëndetësore ende nuk është bërë e ditur.
Pas shuarjes së flakëve, zjarrfikësit kanë nisur pastrimin e rrugës, e cila vijon të jetë e bllokuar për qarkullimin.
Rruga pritet të hapet vetëm pasi të përfundojnë ndërhyrjet dhe të rikthehet situata në gjendje normale, për të garantuar sigurinë e kalimtarëve dhe automjeteve.
Ndërkohë, në zonë po punohet edhe për largimin e pasojave të shpërthimit. Një fadromë është angazhuar për heqjen e inerteve të mbetura pas shkatërrimit të strukturës së karburantit dhe godinës njëkatëshe ku qëndronin punonjësit.
Autoritetet dhe grupet e emergjencës vijojnë punën në vendngjarje, ndërsa pritet të përcaktohen me saktësi rrethanat dhe shkaku i shpërthimit.
Pas incidentit, ka reaguar policia, që në një informacion paraprak shkruan: “Tiranë. Tek “Brryli”, në një karburant, dyshohet se ka shpërthyer një bombul gazi, gjatë kohës që po furnizohej me karburant një automjet.
Si pasojë, janë dëmtuar 3 persona, punonjës të karburantit, të cilët janë dërguar në spital për mjekim, jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e rrethanave të rastit”.
Edhe Ministria e Shëndetësisë ka dhënë informacion për gjendjen shëndetësore të tre personave të dëmtuar nga shpërthimi i ndodhur mëngjesin e sotëm në një karburant pranë zonës së Brrylit në Tiranë.
Të tre të dëmtuarit janë dërguar në Spitalin Universitar të Traumës, ku ndodhen në gjendje të stabilizuar dhe po marrin trajtimin e nevojshëm mjekësor.
“Tre personat e dëmtuar si pasojë e një shpërthimi të ndodhur në një karburant pranë zonës së “Brrylit”, Tiranë, janë paraqitur për trajtim mjekësor në Spitalin Universitar të Traumës.
Pacientët V. H., R. A. dhe A. XH. ndodhen në gjendje shëndetësore të stabilizuar dhe janë nën kujdesin e ekipit mjekësor të Spitalit Universitar të Traumës.
Aktualisht, po kryhen ekzaminimet e nevojshme dhe vlerësimi i mëtejshëm i gjendjes së tyre shëndetësore, në përputhje me protokollet mjekësore”, shkruan Ministria e Shëndetësisë.










Discussion about this post