Deputeti i PD-së, Luan Baçi këtë të premte u paraqit në ambientet e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK.
Baçi u paraqit i shoqëruar nga avokati Sokol Mëngjesi dhe pas daljes nga SPAK, ka njoftuar se është marrë person nën hetim.
Çështja ndaj tij është regjistruar mbi bazën e një kallëzimi penal të depozituar në shkurt të vitit 2024 nga ish-ortaku i tij i biznesit, Aredin Behari.
Sipas padisë së dorëzuar në organin e akuzës, Behari e akuzon deputetin opozitar për pastrim parash dhe fshehje pasurie në vlerën e 1.5 milionë eurove. Veprimtaria e pretenduar financiare dhe fshehja e kapitaleve, sipas kallëzuesit, ka ndodhur përgjatë periudhës 2010–2012.
Në një deklaratë për mediat pas daljes nga ambientet e Prokurisë së Posaçme, Baçi tha se kallëzimi ndaj tij është bërë nga Aredin Behari, të cilin e cilësoi gjobëvënës.
“Ish-ortaku im, pas 16 vitesh në një punë të përbashkët, ka shitur aksionet dhe ka ikur, është kujtuar që të vijë tani që të kallëzojë në SPAK. Për problematika nga më të ndryshmet. Në fakt, jemi në një proces civil me të në Gjykatën e Vlorës për këtë, se ish-bashkëshortja e tij, kur i ka shitur zotëria, pretendon se nuk ka qenë prezentë”,- tha Baçi.
“Sot, si person nën hetim, nuk më komunikuan vepër penale”,- theksoi deputeti.
Me hapjen e këtij hetimi, strukturat e hetimit financiar pranë SPAK-ut pritet të verifikojnë deklarat e pasurisë, bilancet e sipërmarrjeve tregtare dhe lëvizjet e llogarive bankare të ligjëruara gjatë atyre viteve.










Discussion about this post