Një arratisje spektakolare ka ndodhur mbrëmjen e së premtes në Serres të Greqisë, gjatë transferimit të një të burgosuri nga burgu i Nigritas drejt Spitalit të Përgjithshëm të Serresit.
Një i burgosur shqiptar, 41 vjeç, arriti të arratisej pasi persona të armatosur ndërhynë gjatë transferimit të tij, duke përdorur dy automjete që ishin pajisur me sinjalistikë dhe ngjanin me makina policie.
Sipas informacioneve të para, rreth orës 23:30, automjeti që transportonte të burgosurin ndodhej në oborrin e spitalit, konkretisht jashtë repartit të psikiatrisë. Bashkë me 41-vjeçarin ndodheshin edhe dy efektivët që e shoqëronin.
Në atë moment u shfaqën dy automjete me sinjalistikë që i bënte të dukeshin si mjete policie. Personat që ndodheshin brenda tyre iu afruan automjetit të transportit dhe nën kërcënimin e armëve, neutralizuan shoqëruesit (gardianët) e të burgosurit.
Më pas, ata ndihmuan 41-vjeçarin shqiptar të arratisej, ndërsa i morën edhe armën e shërbimit njërit prej punonjësve të burgjeve. Menjëherë pas operacionit, autorët së bashku me të arratisurin hipën në automjete dhe u larguan.
I arratisuri është një shtetas shqiptar 41-vjeçar, i cili, sipas mediave greke, ishte arrestuar një vit më parë nga strukturat e Krimit të Organizuar për një çështje që lidhej me një tentativë vrasjeje në Selanik. Ngjarja kishte ndodhur pranë një pike ambulante ushqimi, ndërsa 41-vjeçari dyshohet se ka qenë i përfshirë edhe në çështje që lidhen me armët dhe drogën.
Pas arratisjes, autoritetet greke u vunë në alarm dhe nisën kërkime të gjera si për 41-vjeçarin shqiptar, ashtu edhe për personat e armatosur që morën pjesë në operacionin për lirimin e tij.
Deri më tani, as i arratisuri dhe as personat që e ndihmuan nuk janë lokalizuar.










Discussion about this post