Presidenti amerikan, Donald Trump ka mbërritur në Irlandë, në një kohë kur vizita e tij po shoqërohet me një nga operacionet më të mëdha të sigurisë të ndërmarra ndonjëherë nga policia e vendit.
Ai u prit në aeroportin e Dublinit nga zëvendëskryeministri Simon Harris.Trump do të zhvillojë takime dhe aktivitete në kryeqytet, si dhe në resortin e tij të golfit në Doonbeg, në kontenë Clare, ku po zhvillohet Irish Open, gjatë vizitës së tij dyditore në vend.
Presidentja e Irlandës, Catherine Connolly, një kritike e kahershme e presidentit amerikan, e priti Trumpin në rezidencën e saj zyrtare, Áras an Uachtaráin, në Phoenix Park të Dublinit.
Një trupë nderi i dha nderimet ushtarake Trumpit, i cili u ftua të kryente inspektimin e saj, përpara se dy liderët të hynin brenda për bisedime me dyer të mbyllura.Trump më pas u takua me kryeministrin irlandez, Micheál Martin, në Farmleigh House.
Përpara vizitës, Martin tha se mezi priste të mirëpriste Trumpin dhe të “diskutonte çështjet e shumta me interes të përbashkët, si dhe të rikonfirmonte lidhjet e forta ekonomike, kulturore dhe njerëzore mes Irlandës dhe Shteteve të Bashkuara”.
Gjatë vizitës së tij, Trump do të marrë pjesë në një sërë aktivitetesh në Deerfield, rezidenca e ambasadorit amerikan në Irlandë.
Duke folur për takimin e presidentit amerikan me presidenten Connolly, Eric Trump, djali i presidentit amerikan, i tha Sky News se pret që të dy liderët të tregohen “jashtëzakonisht të përmbajtur dhe të sjellshëm” gjatë vizitës.
Janë planifikuar gjithashtu një numër protestash, përfshirë në Dublin, Doonbeg dhe në aeroportin e Shannonit.Komisioneri i Gardës irlandeze, Justin Kelly, tha se protestat paqësore do të lejohen sa më shumë të jetë e mundur, por theksoi se do të ketë “zero tolerancë” ndaj çrregullimeve publike apo përpjekjeve për të penguar “lëvizjet kritike” të presidentit amerikan.
“Ne kemi plane të fuqishme policore dhe do të arrestojmë e ndjekim penalisht ata që kryejnë shkelje të ligjit”, tha ai.
Protestat e planifikuara vijnë pasi një sondazh i publikuar në fillim të kësaj jave tregoi se 70% e irlandezëve nuk duan që presidenti amerikan të vizitojë vendin.










Discussion about this post