Një ndeshje që kishte gjithçka: gola, përplasje fizike, kartonë të kuq, tribuna të zbrazura dhe një kohë shtesë që vendos rekord në futbollin shqiptar.
Laçi ka arritur të mposhtë Vllazninë me rezultatin 2-0 në shtëpi, në një 90-minutësh që u zgjat në plot 110 minuta lojë për shkak të tensioneve të vazhdueshme.
Ndeshja nisi me ritëm të lartë, teksa Vllaznia rrezikoi që në minutën e parë me një goditje me kokë të Mustës. Teksa shkodranët mbajtën kontrollin e topit në pjesën më të madhe të kohës, kurbinasit u përgjigjën rrezikshëm me kundërsulme. Tensioni u shfaq qartë rreth minutës së 33-të, kur një përplasje në fushë përfshiu edhe pankinat, duke e detyruar kryesorin Cjapi të ndërpriste lojën për dy minuta dhe të ndëshkonte Nergutin dhe Muratajn me të verdhë. Pjesa e parë u mbyll e bardhë, pavarësisht rasteve nga të dyja kampet.
Pjesa e dytë nisi me ndryshime të shumta, por ishte lëvizja e Laçit ajo që dha rezultat të menjëhershëm. Në minutën e 50-të, një zbritje e shpejtë e Traore përfundoi te Cena, i cili me një gjuajtje të saktë mposhti portierin Avram, duke zhbllokuar shifrat.
Pika e kthesës për keq e Vllaznisë erdhi në minutën e 71-të. Mehmeti u ndëshkua me karton të kuq të drejtpërdrejtë, një vendim që solli protesta të ashpra nga lojtarët shkodranë dhe drejtori sportiv, Vioresin Sinani. Situata degradoi më tej kur një send u hodh nga tribuna përballë. Gjyqtari Kreshnik Cjapi mori një vendim drastik: ndërpreu ndeshjen dhe refuzoi ta rinisë atë pa u boshatisur plotësisht sektori problematik.
Pas rreth 11 minutash ndërprerje, loja rinis në minutën e 88-të me një rivënie anësore për Vllazninë. Por pa kaluar asnjë minutë, kurbinasit goditën sërish. Një harkim i Azizit gjeti Traoren në shtyllën e dytë, i cili dyfishoi shifrat (89’).
Për shkak të ndërprerjes së gjatë, tabela e arbitrit të katërt tregoi një shifër të padëgjuar: plot 19 minuta shtesë. Vllaznia u mundua të reagonte, duke pasur një rast flagrant me Balajn i vetëm përballë portierit Guri (90’+4’), por pa sukses. Pas rreth 110 minutash lojë e tension të vazhdueshëm, Laçi festoi një fitore të madhe në shtëpi.
gijotina.com/










Discussion about this post