Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka finalizuar një operacion në Durrës, i cili ka çuar në arrestimin në flagrancë të një punonjësi policie dhe procedimin në gjendje të lirë të dy efektivëve të tjerë.
Sipas njoftimit të AMP-së, operacioni u zhvillua në kuadër të procedimit penal nr. 100/2026, të regjistruar për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.
Hetimet dhe operacioni u kryen nga Drejtoria Rajonale Durrës-Kavajë e AMP-së, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.
Në përfundim të veprimeve, AMP arrestoi në flagrancë punonjësin e policisë me inicialet S. M., i cili ushtron detyrën në Trupën e Shërbimit të Patrullës së Përgjithshme.
AMP nuk ka bërë publike në njoftim rrethanat konkrete që çuan në arrestimin e efektivit dhe as veprimet për të cilat ai dyshohet në kuadër të procedimit të regjistruar për korrupsion dhe shpërdorim detyre.
Operacioni ka përfshirë edhe dy punonjës të tjerë të Policisë së Durrësit, të cilët janë referuar në gjendje të lirë për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Bëhet fjalë për efektivin me inicialet S. H., me detyrë Specialist për Rendin në Komisariatin e Policisë Durrës, si dhe A. K., pjesë e Trupës së Shërbimit të Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Durrës.
Në përfundim të veprimeve procedurale, materialet e përpiluara nga AMP janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprime të mëtejshme.
Hetimet vijojnë për përcaktimin e rrethanave dhe përgjegjësisë konkrete të tre punonjësve të policisë në procedimin penal.










Discussion about this post