Shqipëria është prodhuesja më e madhe e naftës bruto në Ballkanin Perëndimor, por vazhdon të jetë e varur në masë të madhe nga importi i benzinës, naftës diesel dhe karburantit të avionëve. Në të njëjtën kohë, vendi nuk ka ende një sistem rezervash strategjike të naftës të harmonizuar me kërkesat e Bashkimit Evropian, sipas “Fisha e Energjisë- Shqipëri” të Komisionit Evropian, të përditësuar së fundmi.
Në vitin 2024, Shqipëria prodhoi rreth 621 mijë ton naftë bruto, ekuivalente me rreth 12,500 fuçi në ditë. Por aktiviteti i kufizuar i rafinimit bën që pjesa më e madhe e naftës së nxjerrë në vend të eksportohet, ndërsa kërkesa e brendshme për produkte të rafinuara mbulohet kryesisht nga importet. Kjo krijon një situatë ku vendi prodhon lëndën e parë, por mbetet i ekspozuar ndaj tregjeve ndërkombëtare për karburantet që konsumohen nga transporti dhe ekonomia.
Komisioni Evropian konstaton se Shqipëria nuk ka kryer ende harmonizimin me Direktivën e BE-së për rezervat e naftës dhe nuk mban rezerva strategjike sipas këtij sistemi. Procedurat për përdorimin e stoqeve në raste emergjence mbeten gjithashtu nën standardet evropiane, ndërsa raportimi aktual siguron vetëm të dhëna të pjesshme.
Standardi evropian kërkon që shtetet të kenë stoqe emergjence të barasvlershme me të paktën 90 ditë importe neto mesatare ditore ose 61 ditë konsum të brendshëm, duke u marrë si referencë vlera më e lartë. Vendet duhet gjithashtu të raportojnë çdo muaj nivelin e rezervave dhe të kenë procedura funksionale për reagimin ndaj krizave të furnizimit.
Në Shqipëri ekzistojnë ndërkohë rezerva të mbajtura nga operatorët privatë, por ato nuk duhen ngatërruar me sistemin e rezervës strategjike që kërkon BE-ja. Në mars 2026, gjatë një takimi me furnizuesit e karburanteve, qeveria deklaroi se kompanitë kishin fizikisht rezerva për rreth 30 ditë, ndërsa përmes kontratave furnizimi konsiderohej e garantuar një periudhë prej rreth 100 ditësh. Në atë kohë u njoftua gjithashtu se ishte në konsultim një ligj për rezervën shtetërore të hidrokarbureve.
Edhe Komuniteti i Energjisë, në raportin e zbatimit për Shqipërinë, e vlerësonte përputhshmërinë në fushën e sigurisë së furnizimit me naftë vetëm në 23%. Sipas raportit, kuadri vazhdonte të mbështetej te legjislacioni i vjetër dhe përgjegjësia për mbajtjen e stoqeve ishte kryesisht e industrisë, ndërsa mungonin të dhënat e plota për rezervat emergjente dhe tregtare.
Qeveria ka nisur ndërkohë një tjetër proces për krijimin e kapaciteteve kombëtare të magazinimit. Në qershor 2026 u nënshkrua një memorandum me kompaninë italiane Eni, që parashikon një studim fizibiliteti për kapacitete kombëtare të furnizimit dhe magazinimit të produkteve të naftës dhe gazit. Projekti është paraqitur nga qeveria si pjesë e synimit për krijimin e rezervës strategjike dhe forcimin e sigurisë energjetike.
Çështja merr peshë më të madhe në kushtet e luhatjeve të tregjeve ndërkombëtare. Vetëm më 8 shtator, Komisioni Evropian njoftoi se pasiguritë gjeopolitike po vazhdonin të shkaktonin luhatje të forta të çmimeve, veçanërisht për dieselin dhe karburantin e avionëve, megjithëse në BE nuk kishte probleme të menjëhershme me furnizimin.










Discussion about this post