Vetëm disa orë pasi Kuvendi miratoi ligjin për formulën e re të pagave të magjistratëve, Presidenti Bajram Begaj dekretoi shpalljen e tij, duke mundësuar hyrjen e menjëhershme në fuqi.
Kuvendi e argumentoi urgjencën me situatën e krijuar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që shfuqizoi dispozitat për pagat e magjistratëve. Sipas argumentimit të përcjellë Presidentit, boshllëku ligjor kishte bllokuar pagesat për gjyqtarët dhe prokurorët nga 1 gushti 2026.
Pa hyrjen në fuqi të ligjit të ri, Thesari i Shtetit nuk mund të ekzekutonte listëpagesat. Procedura e zakonshme do ta shtynte hyrjen në fuqi me 15 deri në 35 ditë, ndërsa Kuvendi kërkoi që pagesat e bllokuara të mund të ekzekutoheshin që më 18 shtator. Presidenti Begaj pranoi kërkesën.
Sipas argumentimit të Presidencës, dhënia e pëlqimit për hyrjen e menjëhershme në fuqi të ligjit lidhet me nevojën për të garantuar vazhdimësinë e të ardhurave të magjistratëve dhe, përmes saj, parimin e pavarësisë së gjyqësorit.
“Argumentet dhe kundërargumentet kushtetuese lidhur me masën e pagës mund të debatohen edhe në instanca të tjera kompetente, por zhbllokimi në rrugë të ligjshme i vetë pagës mund të bëhet vetëm duke futur në fuqi ligjin e ri.
Hyrja e ligjit në fuqi menjëherë kërkon që Presidenti i Republikës të veprojë menjëherë.
Për Presidentin e Republikës, dhënia e pëlqimit në këtë rast i shërben mbrojtjes së një nevoje akute, me lidhje të drejpërdrejtë me parimin e pavarësisë së gjyqësorit, që është garantimi i standardit të jetesës dhe i qëndrueshmërisë së të ardhurave për të gjithë magjistratët e vendit“, thuhet në reagimin zyrtar të Presidencës.










Discussion about this post