Presidenti i arrestuar i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar nga qelia pasi maxhoranca e qeverisë Rama miratoi mbrëmë me 84 vota formulën e re të pagave për magjistratët.
Meta shpreh shqetësimin serioz edhe për një krizë tjetër absurde të krijuar midis GJKKO të Shkallës së Parë dhe Dhomës së Avokatisë, e cila dëmton rëndë parimet e mirëadministrimit të drejtësisë dhe proceset e rregullta ligjore penale.
“Miratimi dje me kokëfortësi nga Kuvendi, nën diktimin e Edi Ramës, i ligjit për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, pa konsultimin me grupin e interesit madje duke injoruar edhe Shoqatën Europiane të Gjyqtarëve, është tregues i papërgjegjshmërisë totale të një deliranti, i cili nuk njeh as Gjykatën Kushtetuese dhe asnjë parim të shtetit të së drejtës.
Të gjitha mosveprimet e Kuvendit në kohën e përcaktuar nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, tregojnë qartë që kanë qenë me dashje dhe të diktuara nga Edi Rama, po ashtu si injorimi që iu bë përmbajtjes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese dje.
Detyrimet e marra nga Kuvendi i Republikës në vitin 2016 për statusin dhe pagat e sistemit gjyqësor, si garanci për dinjitetin dhe pavarësinë e tyre duhen përmbushur pa asnjë devijim, bullizim dhe diskriminim nga Qeveria, që dikton edhe Kuvendin e nënshtruar tërësisht dhe jofunksional.
Po kështu, dua të shpreh shqetësimin serioz për një krizë tjetër absurde të krijuar midis GJKKO të Shkallës së Parë dhe Dhomës së Avokatisë, e cila dëmton rëndë parimet e mirëadministrimit të drejtësisë dhe proceset e rregullta ligjore penale.
Është i domosdoshëm dialogimi midis këtyre institucioneve për t’i dhënë fund sa më parë kësaj krize të panevojshme midis këtyre dy institucioneve.
Është e paarsyeshme, arbitrare, joproporcionale që avokatët të vendosin midis dy presioneve, pra nga njëra anë nga Dhoma e Avokatisë dhe nga ana tjetër nga GJKKO e Shkallës së Parë.
Ndaj mbizotërimi i parimit të procesit të rregullt ligjor duhet të përcaktojë tejkalimin e këtij ngërçi të papritur, të dëmshëm për të gjithë aktorët dhe të panevojshëm”, shkruan Meta.










Discussion about this post