Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha e cilësoi Parlamentin si një institucion të Ergys Agasit, biznesmenit të akuzuar nga SPAK si kreu i grupit kriminal në AKSHI, bashkë me personat e tjerë të marrë të pandehur.
Në fjalën e tij në Parlament, kryedemokrati tha se siguria e vendit është shembur, pasi drejtuesja e SHISH rezultoi anëtare e grupit të Agasit.
“Sot parlamenti mblidhet si parlamenti i Ergys Agasit, si parlamenti më i papërgjegjshëm në tërë historinë kombëtare të ndonjë vendi. Sot, për çdo qytetar shqiptar, që i thotë vendit vend, sigurisë siguri, çështja e të gjitha çështjeve është shembja totale e sigurisë së vendit pasi kryetarja e shërbimit informativ rezulton një anëtare e poshtër e grupit të strukturuar kriminal Agasi”, tha Berisha.
Ai e cilësoi emërimin e Hysenit në krye të SHISH si jashtë kritereve, ndërsa e cilësoi edhe si shërbëtore të Edi Ramës dhe Aleksandër Vuçiç.
“Kjo seancë do hyjë në histori si seanca më e turpshme e mbledhur ndonjëherë. Sot parlamenti mblidhet si parlamenti i Ergys Agasit, si parlamenti më i papërgjegjshëm në tërë historinë kombëtare të ndonjë vendi. Sot, për çdo qytetar shqiptar, që i thotë vendit vend, sigurisë siguri, çështja e të gjitha çështjeve është shembja totale e sigurisë së vendit pasi kryetarja e shërbimit informativ rezulton një anëtare e poshtër e grupit të strukturuar kriminal Agasi.
Në këtë sallë kam deklaruar, kam paralajmëruar se Ergys Agasi është mafiozi më i rrezikshëm i Evropës.
Po, sepse ai kontrollonte si asnjë tjetër në Shqipëri dhe në Evropë, të gjitha kartelet e drogës, të gjithë internetin e territorit të vendit, të gjitha sekretet e këtij shteti dhe SHISH-in. Ai kishte fuqi të pakufizuar dhe këtë fuqi e kishte nga Padrino i vendit.
Rasti i Vlora Hysenit është i treti rast në botë, është El Polo i Venezuelës që punoi me kartelet, është shefi i shërbimit të Guinesë Bisau, të cilën kartelet amerikano-latine e shndërruan në narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Afrikë, dhe tani vjen Vlora Hyseni, ky personazh i përçudnuar, që pasi shkarkohet nga detyra në një vend demokratik, për motive të forta, po ato motive e sjellin atë këshilltare të Padrinos dhe më pas e sjellin në krye të SHISH. Emërimi i saj, jashtë të gjitha kritereve, përbën aktin më të papërgjegjshëm ndaj sigurisë së vendit.
Emërimi i saj ishte në mënyrë absolute për një rol të dyfishtë. E kam deklaruar në atë kohë, e deklaroj edhe sot, ajo ishte një shërbëtore e Vuçiçit dhe Edi Ramës.
Por kjo është njëra anë, ana më e zezë është se njeriu që kishte për detyrë sigurinë e vendit dhe qytetarëve të këtij vendi, bashkëpunonte me hanxharët e krimit, ishte një ushtare e hanxharëve të krimit. Ishte ushtare e një organizate më të rrezikshme kriminale. Ishte njeriu që lëshonte në duart e bandave çdo sekret të këtij shteti. Ishte njeriu që me porosi të Ergys Agasit shkarkonte secilin prej jush. Po! Ishte njeriu që u thërriste ju në zyrë. Damian, e ke vetë parasysh ti. Nuk je i vetmi ti, janë shumë si ti. Se e shihja se po bëje sikur nuk po dëgjoje. Ulsi, shko merr dosjen sa herë të del emri aty. Por prapë, në këtë rast, tragjike është se është shembur piramida e sigurisë”, u shpreh Berisha.










Discussion about this post