Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me plagosjen me armë zjarri të Daniel Pikulit, ngjarje e ndodhur një ditë më parë në Lezhë.
Në kërkim janë shpallur Bebi (Gjergj) Voci dhe Ariseldo Voci, babë e bir, të dyshuar për përfshirje në plagosjen e Pikulit.
Nga pamjet e kamerave të sigurisë rezulton se tre personat janë përfshirë fillimisht në një konflikt fizik. Përplasja më pas ka agravuar dhe njëri prej personave dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri ndaj Daniel Pikulit, duke e lënë të plagosur.
Pas ngjarjes, dy personat e shpallur në kërkim janë larguar me një automjet tip “Volkswagen”. Lëvizjet e mjetit janë gjurmuar deri në zonën e Shënkollit, në Lezhë.
Në kuadër të hetimeve janë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë të bizneseve përgjatë autostradës Lezhë-Laç. Përmes tyre po punohet për të rindërtuar itinerarin e ndjekur pas largimit nga vendi i ngjarjes dhe për të dokumentuar dinamikën e plotë të plagosjes.
Ndërkohë, Daniel Pikuli vijon të jetë nën kujdesin e mjekëve. Gjendja e tij shëndetësore mbetet e paqëndrueshme, ndaj ai nuk ka dhënë ende deklarimin e tij përpara grupit hetimor.
Hetimet vijojnë për të zbardhur motivin dhe rrethanat e konfliktit, si dhe për të përcaktuar rolin e secilit prej personave të përfshirë. Paralelisht po punohet për lokalizimin dhe kapjen e babë e bir, të shpallur në kërkim pas ngjarjes.










Discussion about this post