Trajneri i Bjellorusisë, Viktor Gonçarenko, ka folur para përballjes me Shqipërinë, duke treguar qartë objektivin e skuadrës së tij.
Tekniku bjellorus theksoi se ekipi ka kaluar një grumbullim pozitiv dhe se lojtarët po punojnë me përkushtim maksimal.
“Do të thosha se kemi pasur një atmosferë shumë pozitive dhe plot energji gjatë gjithë grumbullimit”, deklaroi Gonçarenko.
Ai bëri të ditur se për shkak të kalendarit të ngjeshur, Bjellorusia ka zgjeruar grupin duke grumbulluar 23 lojtarë fushe dhe tre portierë.
Sa i përket formacionit, trajneri pranoi se tashmë ka krijuar një ide të qartë për titullarët, por vendimi final mbetet çështje e brendshme e stafit.
Gonçarenko foli edhe për rëndësinë e rezultatit në ndeshjen ndaj Shqipërisë.
“Qëllimi ynë është të luajmë sa më mirë në të gjitha ndeshjet e ardhshme”, u shpreh ai.
Sipas trajnerit, skuadra duhet të ruajë një nivel të lartë loje që nga minutat e para.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e lojtarëve që do të aktivizohen gjatë ndeshjes si zëvendësues.
“Një organikë e gjerë na mundëson pikërisht këtë”, tha Gonçarenko.
Në këtë mënyrë, Bjellorusia pritet të zbresë në fushë ndaj Shqipërisë me fokusin te performanca dhe përmirësimi i vazhdueshëm i ekipit.










Discussion about this post