Detaje të reja janë zbardhur nga operacioni “Muri i Lartë”, i zhvilluar me urdhër të SPAK në Tiranë dhe Shkodër. Hetimet e drejtuara nga prokurori Adnan Xholi lidhen me grupin Rraja, ndërsa me masat e reja ndaj Bledar Cafit dhe Indrit Dokles, numri i personave nën masa sigurie në këtë dosje ka arritur në 17.
Gjykata e Posaçme ka caktuar një masë të re sigurie “Arrest me burg” ndaj Endrit, alias Indrit Dokle, i cili akuzohet për trafik ndërkombëtar të kokainës.
Policia dhe BKH ushtruan kontrolle në ambientet që i përkasin Dokles gjatë operacionit “Muri i Lartë”, por 43-vjeçari nuk u gjet. Policia njoftoi se vijon puna për lokalizimin dhe arrestimin e tij.
Në të njëjtin operacion u arrestua në Shkodër Bledar Cafi. GJKKO kishte caktuar më 25 shtator masën “Arrest me burg” ndaj tij për akuzat e “Trafikimit të lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupit të strukturuar kriminal” dhe “Kryerjes së veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Sipas të dhënave të deritanishme nga hetimi, dosja lidhet me aktivitetin e dyshuar të grupit Rraja në trafikun e narkotikëve dhe veprat penale të lidhura me krimin e organizuar.
Me masat e fundit ndaj Cafit dhe Dokles, numri i personave që përballen me masa sigurie në kuadër të këtij procedimi penal ka shkuar në 17.
Operacioni “Muri i Lartë” u zhvillua nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me BKH-në, nën drejtimin e SPAK, me angazhimin e Forcave Speciale RENEA, Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, Drejtorisë për Hetimin e Narkotikëve dhe DVP Shkodër.










Discussion about this post