Një mesazh i qartë për Shqipërinë ka ardhur nga kryetari i Komisionit për Punët e Jashtme në Parlamentin Europian, David McAllister: rruga drejt Bashkimit Europian kalon nga forcimi i pavarësisë së gjyqësorit dhe rezultatet e qëndrueshme në luftën kundër korrupsionit.
Në videomesazhin drejtuar Konferencës Ndërparlamentare Shqipëri-BE, McAllister e vendosi drejtësinë në qendër të sfidave që vendi duhet të adresojë në fazën e mëtejshme të procesit të integrimit.
Ai kërkoi gjithashtu që institucionet publike të funksionojnë në mënyrë efektive në shërbim të qytetarëve, ndërsa inkurajoi Shqipërinë të vijojë reformat me të njëjtën vendosmëri. Shqipëria i ka hapur tashmë të gjashtë grupkapitujt e negociatave, por çështjet që lidhen me shtetin e së drejtës dhe luftën kundër korrupsionit vijojnë të jenë pjesë kyçe e procesit të anëtarësimit.
“I afron ekonomitë me njëra-tjetrën forcën institucionet dhe ndihmon qëndrueshmërinë afatgjatë në kontinentin tonë. Sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës e ka përforcuar më tej rëndësinë strategjike të zgjerimit të BE-së.
Mbajtja e BP në një gjendje të zgjatur pasigurisë mund të dobësojë mbështetjen për reformat dhe krijon mundësi që palë të treta të zgjerojnë ndikimin e tyre negativ. BE duhet t’i çojë përpara negociatat sa herë që përmbushen kriteret e dakordësuara.
Vendet që zbatojnë reformat duhet të jenë në gjendje të mbështeten te bashkimi Europian për përmbushjen e angazhimeve të marra prej tij. Shqipëria ka hapur të 6 grupkapitujt e negociatave.
Tashmë sfida që qëndron përpara është forcimi i pavarësisë së gjyqësorit, arritja e rezultateve të qëndrueshme në luftën kundër korrupsionit dhe garantimi që institucione publike t’u shërbejnë qytetarëve në mënyrë efektive. Ju inkurajoj t’i çoni përpara këto reforma me të njëjtën vendosmëri”, tha McAllister në videomesazh.










Discussion about this post