Komisioni Evropian ka propozuar krijimin e një tregu të përbashkët për nëntë shtete kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, mes të cilave edhe Shqipëria. Tregu parashihet në propozimin për ndryshimin e politikës së zgjerimit, miratimi ose publikimi i të cilit pritet më 6 tetor, pas takimit njëjavor të Kolegjiumit të Komisionit Evropian në Strasburg.
Tregu i përbashkët për vendet kandidate përshkruhet si “instrumenti më i fuqishëm i bllokut për nxitjen e prosperitetit dhe konvergjencës ekonomike”.
Qasja në këtë treg, hapësira e përbashkët e BE-së në të cilën mallrat, shërbimet, njerëzit dhe kapitali qarkullojnë lirshëm, deri tani ka qenë plotësisht e mundur vetëm pas anëtarësimit formal. Megjithatë, që këto propozime, ose disa prej tyre, të hyjnë në fuqi, nevojitet miratimi formal dhe pajtueshmëria e të gjitha shteteve anëtare të BE-së.
Dokumenti do të shërbejë si bazë për diskutimet strategjike ndërmjet liderëve të BE-së në samitin e ardhshëm, i cili do të mbahet më 15 dhe 16 tetor në Bruksel dhe do t’i kushtohet zgjerimit të unionit.
Vendet kandidate janë: Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia, Bosnje e Hercegovina, Gjeorgjia, Turqia, Moldavia dhe Ukraina. Qasja në tregun e përbashkët nuk ofrohet automatikisht, por lidhet qartë me përparimin konkret të vendeve kandidate në procesin e reformave.
“Përparimi i krahasueshëm duhet të çojë në mundësi të krahasueshme”, thuhet, ndër të tjera, në draft-dokumentin e Komisionit Evropian.
Sipas dokumentit, instrumentet ekzistuese do të zgjeroheshin gradualisht, në përpjesëtim me shkallën në të cilën secili vend është realisht i gatshëm. Dokumenti parashikon gjithashtu mekanizma mbrojtës kundër “ngecjes” në reforma, që do të thotë se qasja e fituar një herë nuk është domosdo e përhershme.
gijotina.com/










Discussion about this post