Pozicionimi i kamerës nga e cila dyshohet se janë siguruar pamjet intime të kompozitorit Adi Hila ngre pikëpyetje nëse ajo ishte vendosur për arsye sigurie apo për regjistrimin e materialeve.
Eksperti i sigurisë Fatjon Softa foli për këtë çështje në “News24 Fundjavë”, duke analizuar edhe mundësinë e hakerimit dhe mënyrën se si materiale të tilla mund të shpërndahen.
Softa ka ngritur pikëpyetje mbi qëllimin e vendosjes së kamerës, duke u ndalur veçanërisht te fakti se ajo ishte e orientuar drejt krevatit. Sipas tij, duhet bërë dallimi mes një kamere sigurie dhe një kamere të fshehtë.
“Kamerat e sigurisë duhet të ndahen nga kamerat e fshehta. Këto të dytat vendosen sepse prona jote mund të rrezikohet apo abuzohet. Kur e përdor si një ambient privat, gjërat ndryshojnë. Kamera ishte e drejtuar drejt krevatit, jo, për shembull, në drejtim të kasafortës”, tha Softa.
Sipas tij, mënyra se si ishte pozicionuar kamera ngre dyshime mbi funksionin për të cilin ajo ishte vendosur.
“Nuk ka qëllime sigurie, por marrje të pamjeve. Fakti që kemi pamje filmike që kanë intimitet, tregon se qëllimi i vendosjes së kamerave ishte i ndryshëm nga ai i sigurisë”, u shpreh eksperti.
Softa u ndal edhe te mundësia e një ndërhyrjeje të jashtme në sistem, duke theksuar se në rast hakerimi duhet të përcaktohet se si është realizuar hyrja dhe cili ka qenë qëllimi.
“Nëse flasim për hakerim, duhet të flasim për pse. Kur flasim për hakerim, dikush ka hyrë në sistem dhe ka thyer kodin e sigurisë. Kur personi në fjalë thotë ‘nuk kam pasur filmim’, duhet parë se si është hakeruar”, tha ai.
Eksperti shpjegoi gjithashtu se pamjet e regjistruara nga kamerat mund të ruhen në sisteme arkivimi, pa qenë e nevojshme që ato të monitorohen vazhdimisht nga një person.
“Nuk do të hyjë dikush 24 orë të kontrollojë një kamera që ke vendosur ti. Pamjet janë ruajtur diku si arkivë”, deklaroi Softa.
Duke folur për shpërndarjen e materialeve të tilla, Softa iu referua edhe platformës Telegram dhe grupeve ku, sipas tij, publikohen materiale të siguruara nga kamera të fshehta.
“Në Telegram ka grupe të hapura që kanë kamera të fshehta për persona të ndryshëm. Pamjet shiten dhe publikohen, përdoren për shantazh”, u shpreh eksperti i sigurisë.










Discussion about this post