Shqiptarët janë popullsia që e ka më të papërballueshme financiarisht lidhjen e internetit në shtëpi.
Alarmi vjen nga Eurostat, Zyra Qëndrore e Statistikave të Bashkimit Europian.
Sipas të dhënave të Eurostat, në vitin 2023, plot 25.6 % e individëve në Shqipëri deklaruan se nuk përballonin dot financiarisht një lidhje interneti për përdorim personal në shtëpi.
Kjo do të thotë se një në katër familje shqiptare mbetet ende zyrtarisht jashtë botës online për shkak të pamundësisë ekonomike.
Ky hendek bëhet akoma më i frikshëm kur krahasohet me rajonin dhe Europën. Në Bashkimin Europian, vetëm 2 për qind e popullsisë nuk mund të përballojë lidhjen me internetin.
Ndërkohë diferenca është dramatike edhe me ekonomitë e ngjashme fqinjë.
Në Serbi vetëm 4.1% e popullsisë ka këtë problem, në Maqedoninë e Veriut 4.4%, ndërsa në Malin e Zi 5.0%.
Arsyet e OECD: Pse shqiptarët nuk e përballojnë dot internetin?
Raporti i ri i OECD-së për Ballkanin Perëndimor analizon tregun dhe plotëson pjesën tjetër të historisë. Sipas OECD, Shqipëria ka aktualisht çmimin më të lartë në rajon për internetit, me diferencë nga vendet e ngjashme fqinje.
Raporti thotë se arsyet kryesore të këtij dështimi, vijnë nga dy drejtime; qoftë nga çmimet e larta, ashtu edhe nga të ardhurat e ulëta.
Të dhënat konfirmojnë se kostot e pajisjeve të nevojshme (modemet, serverat, kompjuterat) dhe shërbimet e telekomunikacionit në Shqipëri janë rritur shumë më shpejt se të ardhurat.
Çmimet e teknologjisë së komunikimit në vend kapin rreth 107% të mesatares së BE-së, duke e bërë blerjen dhe mirëmbajtjen e tyre të papërballueshme për buxhetet familjare.
Nga ana tjetër, tregu i internetit në Shqipëri është i kapur në një monopol të ngurtë, i cili nis që nga autostradat e fibrave. Ky bllokim i infrastrukturës bazë e dënon konsumatorin shqiptar me raportin më të pafavorshëm në rajon midis çmimit dhe shpejtësisë së shërbimit duke e bërë internetin praktikisht një luks për një në çdo katër shqiptarë.










Discussion about this post