Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka përsëritur pretendimin se e meriton Çmimin Nobel për Paqen, vetëm dy ditë para shpalljes së fituesit për vitin 2026. Duke folur me gazetarët në Zyrën Ovale, Trump kritikoi edhe Komitetin Norvegjez të Nobelit, duke lënë të kuptohet se ai mund të mos e marrë në konsideratë kandidaturën e tij.
“Ka ardhur koha. Nuk e di se cili do të jetë vendimi i tyre. Ata kanë reputacionin se nuk ua japin atë njerëzve si unë”, tha presidenti amerikan, duke folur për Çmimin Nobel për Paqen, i cili do të shpallet të premten, më 9 tetor, në Oslo.
Presidenti amerikan e ka bërë prej kohësh të qartë ambicien e tij për të marrë çmimin prestigjioz. Trump pretendon se ndërhyrjet e tij diplomatike kanë kontribuar në përfundimin e tetë konflikteve që nga rikthimi në presidencë.
Megjithatë, pretendimet e tij vijnë në një kohë kur lufta në Ukrainë vijon, ndërsa Shtetet e Bashkuara janë të përfshira ushtarakisht edhe në konfliktin me Iranin.
Trump iu referua gjithashtu Çmimit Nobel për Paqen të vitit të kaluar, që iu dha udhëheqëses së opozitës venezueliane, Maria Corina Machado. Në janar, Machado ia dorëzoi Trumpit medaljen e saj Nobel.
“Ishte një nder i madh ta merrja atë në mënyrë indirekte herën e fundit nga vetë fituesja, e cila deklaroi se askush në histori nuk e meritonte më shumë se Presidenti Trump”, tha ai.
Instituti Nobel ka sqaruar, megjithatë, se dorëzimi fizik i medaljes nuk ndryshon statusin e fituesit. Çmimi mbetet zyrtarisht në emër të personit të shpallur fitues nga Komiteti Norvegjez i Nobelit.
Trump është mbështetur publikisht nga disa liderë ndërkombëtarë në garën për Nobelin e Paqes. Udhëheqësit e Kamboxhias, Izraelit dhe Pakistanit kanë deklaruar se e kanë nominuar presidentin amerikan. Për Çmimin Nobel për Paqen të vitit 2026 janë regjistruar gjithsej 287 nominime, mes individëve dhe organizatave.










Discussion about this post