Debati për reformën territoriale ka prodhuar një tjetër përplasje në sallën e Kuvendit, këtë herë mes deputetit socialist Blendi Klosi dhe kreut të PD-së, Sali Berisha.
Klosi deklaroi se mazhoranca është e vendosur ta miratojë reformën dhe u kërkoi deputetëve të opozitës që debati të zhvillohet brenda rregullave parlamentare. Ai shprehu gjithashtu bindjen se PS do të fitojë shumicën e bashkive që do të krijohen pas ndryshimeve territoriale.
“Jemi më të fortë se kurrë, të gatshëm t’ju sfidojmë se nga të gjitha bashkitë që do të dalin nga ligji sotëm, të merrni më pak se gishtat e dorës bashki në zgjedhje. Nëse nuk bëjmë gabime, të gjitha bashkitë që do të dalin nga ligji i sotëm do t’i fitojmë.
Jemi këtu për tu përballur me argumenta, sepse mendojmë se bashkimi i bën bashkitë më të forta dhe u shërbehet më mirë qytetarëve. Le të hyjmë në diskutim të rregullt parlamentar. Mos bëni rrëmujë. Ose diskutoni, ose shkoni protestoni. Nuk keni asnjë shpresë, reforma do të votohet”, u shpreh Klosi.
Deklaratës së socialistit iu përgjigj Sali Berisha me një sulm personal, duke iu referuar pretendimeve të tij për Klosin.
“Një njeri që ia ka blerë bixhozi votën, nuk meriton asnjë përgjigje. Është skllav i vesit të tij. Ndaj ftoj shqiptarët të shumëzojnë me zero diskutimin që bëri”.
Klosi nuk e mbylli debatin me këtë përgjigje dhe zgjodhi të replikojë sërish, duke mbrojtur qëndrimin e mazhorancës për reformën territoriale dhe duke iu referuar rezultateve elektorale të PS-së.
“Replikën e kam te ajo që thonë që të dëgjojmë qytetarët, që neve na kanë votuar që në 2015-ën. Sot marrim edhe më shumë vota se në 2015. Qytetarët e kanë pranuar më votë.
Ajo që më pëlqen është se argumentat e parafolësve janë për intrigat në PS. Keni folur edhe për teatrin, nëse u lënë protestuesit, kaloni të shihni teatrin e ri që po përfundon. I vetmi komunist në këtë sallë, vazhdon të jetojë në përrallat e veta. Kur ishte i ri, ishte më voluminoz, tani ngec në 3 fjali e gjysmë”.









Discussion about this post