SPAK i sekuestron celularin e Ermal Gjinajt, bashkëshortit të ish-ministres së Arsimit, Ogerta Manastirliu.
Agjentët e BKH-së kanë zbatuar një vendim të prokurores së posaçme, Dorina Bejko.
Ermal Gjinaj, bashkëshorti i ish-ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, dikur punonjës pranë gazetës Rilindja Demokratike, ka deklaruar rreth 200 mijë euro të ardhura gjatë periudhës 2021-2025, kohë që përkon me largimin e tij si drejtor i qeverisjes së OSHEE kur në krye ishte Adrian Çela, i lakuar për afera epike korruptive.
Të ardhurat i ka deklaruar nga aktiviteti si person fizik me nipt (L81818024U), me objekt veprimtarie në fushën e medias. Nipti kamuflon portalin bota.al. Për tetë vite me radhë, burri i Manastirliut nuk ka publikuar bilance mbi aktivitetin financiar, duke ngritur dyshime të forta për një skemë pastrimi parash.
Gjinaj e nisi biznesin mediatik në vitin 2018 pasi ishte larguar nga OSHEE, funksion në të cilin u rikthye në janar 2019, në krye të një drejtorie të sajuar nga Adrian Çela posaçërisht për të. Gjinaj nisi të deklaronte të ardhura nga 40-50 mijë euro në vit pasi u larguar nga OSHEE në vitin 2020.
Po gjatë vitit 2018, bashkëshorti i Manastirliut themeloi bashkë me tre persona të tjerë kompaninë e IT Instant.al, por i shiti aksionet disa muaj më vonë. Kompania nuk ka fituar tenderë publikë gjatë kohës kur Gjinaj ishte aksioner. Por, themelimi i kompanisë dhe shitja e aksioneve nuk reflektohen në deklaratën e pasurisë së vitit 2018, që çifti Gjinaj-Manastirliu kanë dorëzuar në ILDKPKI. Ermal Gjinaj nuk ka deklaruar asgjë në formularin e pasurisë së vitit 2018.
Ermal Gjinaj ka bërë një karrierë sa të pabesueshme aq edhe paradoksale, besohet produkt dhe reflektim i një angazhimi pranë Partisë Demokratike dhe pas vitit 2013 falë karrierës së Ogerta Manastirliut, e cila prej më shumë se dy dekadash ka gëzuar besimin e Edi Ramës, fillimisht si drejtoreshë e Drejtorisë së Menaxhimit të Strehimit dhe Shërbimit Social në Bashkinë e Tiranës dhe pas ardhjes së PS-së në pushtet si drejtoreshë e QSUT-së, ministre e Shëndetësisë, ministre e Arsimit dhe vitin e kaluar si kandidate për Bashkinë e Tiranës, zgjedhje që u anuluan nga Gjykata Kushtetuese.










Discussion about this post