Rrjeti i Nxënësve të Shkollave të Mesme në Itali, “Rete degli Studenti Medi” ka shprehur solidaritet me të rinjtë shqiptarë që kanë protestuar në Tiranë, duke dënuar ndërhyrjen e policisë gjatë demonstratave. Në një deklaratë publike të titulluar “Solidaritet me studentët shqiptarë”, organizata italiane thekson se kërkesat e të rinjve për arsim më të aksesueshëm, kushte më të mira dhe mundësi të barabarta duhet të marrin përgjigje përmes dialogut dhe jo forcës.
Sipas organizatës, studentët shqiptarë kanë dalë në rrugë për të kërkuar një sistem arsimor që garanton më shumë mundësi për të gjithë, pavarësisht kushteve ekonomike dhe shoqërore. Në reagimin e saj, “Rete degli Studenti Medi” vë në dukje se kostot e arsimit dhe pabarazitë sociale mbeten ndër shqetësimet që prekin të rinjtë.
Kjo duke theksuar nevojën që institucionet të dëgjojnë kërkesat e tyre dhe të marrin masa konkrete. Sipas saj, ndërhyrjet policore nuk mund të zëvendësojnë dialogun me një brez që kërkon të dëgjohet dhe të ketë më shumë siguri për të ardhmen.
Reagimi
Dje, në Tiranë, studentët shqiptarë dolën në shesh për të kërkuar të drejtën për arsim të përballueshëm, shkolla më të mira dhe një të ardhme të ndërtuar mbi mundësi dhe jo mbi privilegje. Një mobilizim që denoncon pabarazitë sociale, barrën e kostove të arsimit dhe një sistem që shumë shpesh i lë pas dore brezat e rinj. Megjithatë, përpara Ministrisë së Arsimit, studentët u përballën me dhunën dhe ndërhyrjen e forcave të policisë.
Ndërhyrjet e policisë ndaj atyre që protestojnë nuk mund të jenë përgjigjja ndaj kërkesave të një brezi që kërkon të dëgjohet, të respektohet dhe të gjejë drejtësi. Kur brezat e rinj dalin në shesh për të kërkuar ndryshim, përgjigjja e institucioneve nuk mund të jetë represioni, por dialogu dhe marrja e përgjegjësive.
Si Rrjeti i Nxënësve të Shkollave të Mesme në Itali (“Rete degli Studenti Medi”), shprehim solidaritetin tonë të plotë me studentët shqiptarë. Lufta e tyre është edhe lufta jonë. Sheshet u përkasin atyre që luftojnë për një të tashme më të mirë. Dhe asnjë shkop gome nuk mund t’i fshijë idetë.
Edhe ne do të dalim në shesh në Romë, këtë të shtunë, në kuadër të grevës kombëtare, sepse kërkojmë një të drejtë për arsimim që të garantohet realisht, shkolla të sigurta dhe të aksesueshme, si dhe të drejtën për t’u dëgjuar.










Discussion about this post