Deputetja e pavarur Marjana Koçeku ka folur në një intervistë për CNN për largimin e saj nga Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste dhe protestat e studentëve kundër qeverisë në Tiranë.
Koçeku deklaroi se përshkallëzimi i protestave lidhet me pakënaqësitë e akumuluara ndër vite, skandalet e korrupsionit dhe atë që ajo e cilësoi si arrogancë të pushtetit.
Sipas saj, lëvizja e të rinjve kërkon një marrëdhënie të re mes qytetarëve dhe qeverisë, të bazuar te transparenca dhe llogaridhënia.
Në intervistë, deputetja pretendoi se ka qenë dëshmitare e dhunës së ushtruar nga policia ndaj studentëve, përfshirë të miturit, gjatë protestave të ditëve të fundit.
“Kam qenë vazhdimisht pjesë e këtyre protestave që prej nisjes së tyre, katër ditë më parë, dhe e kam parë me sytë e mi dhunën që Policia e Shtetit ka ushtruar ndaj studentëve, veçanërisht ndaj të miturve”, u shpreh Koçeku.
Ajo tha se ndaj protestuesve janë përdorur shkopinj dhe gaz irritues, ndërsa ngriti shqetësime edhe për veprimet e policëve civilë, të cilët, sipas saj, marrin të mitur dhe studentë nga rruga dhe i dërgojnë në komisariat.
Koçeku pretendoi gjithashtu se në disa raste të rinjve të lënduar u mohohet ndihma spitalore, duke e cilësuar situatën si shqetësuese për të drejtat e njeriut dhe lirinë e protestës.
E pyetur nga gazetari i CNN për arsyet e largimit nga Partia Socialiste, Koçeku tha se vendimin e mori rreth tre muaj më parë, pas dhjetë muajsh angazhim politik me këtë forcë. Ajo shpjegoi se protestat e brezit Z, të njohura si “Revolucioni i Flamingove”, ndikuan në vendimin e saj, pasi, sipas saj, kërkesat e lëvizjes nuk përputheshin me politikat e qeverisë.
Duke folur për shkaqet e zemërimit qytetar, deputetja përmendi largimin e të rinjve nga Shqipëria, skandalet e korrupsionit dhe përqendrimin e pushtetit. Ajo iu referua edhe pretendimeve për korrupsion që, sipas deklarimeve të saj në intervistë, mund të arrijnë rreth 7% të buxhetit të shtetit për këtë vit.
Koçeku theksoi se të rinjtë po kërkojnë fundin e arrogancës politike dhe më shumë transparencë në qeverisje.










Discussion about this post