Një grup prindërish shqiptarë, të cilët deklarojnë se nuk kanë lidhje partiake, kanë nisur një peticion drejtuar kryeministrit Edi Rama dhe Kuvendit të Shqipërisë, ku kërkojnë dorëheqjen e kreut të qeverisë dhe të ministrit të Brendshëm, si dhe krijimin e një qeverie tranzicioni.
Nismëtarët kërkojnë që përgjegjësia politike për skandalet e korrupsionit që, sipas tyre, kanë përfshirë ministra, zëvendëskryeministra dhe drejtues të institucioneve të larta shtetërore, të pasohet nga dorëheqja e menjëhershme e Edi Ramës.
Një tjetër kërkesë lidhet me ministrin e Brendshëm, të cilin prindërit e konsiderojnë përgjegjës politik për veprimtarinë e Policisë së Shtetit dhe për rastet e dhunës së pretenduar nga disa efektivë ndaj protestuesve.
Pika e tretë e peticionit parashikon krijimin e një qeverie tranzicioni me mandat të qartë dhe të kufizuar. Sipas nismëtarëve, kjo qeveri duhet të përqendrohet në përgatitjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, mbrojtjen e pavarësisë së SPAK-ut dhe garantimin e një hetimi të pavarur për dhunën ndaj protestuesve.
“Kemi frikë nga telefonata që mbetet pa përgjigje”
Në arsyetimin e tyre, prindërit shprehin shqetësimin për sigurinë e fëmijëve që marrin pjesë në protesta dhe paralajmërojnë për rrezikun e radikalizimit të një brezi të tërë, nëse pakënaqësia e të rinjve nuk merr përgjigje politike.
“Ne i frikësohemi telefonatës që ngelet pa përgjigje kur fëmijët tanë dalin në protestë”, thuhet në tekstin e peticionit.
Nismëtarët theksojnë se synimi i tyre është që të rinjtë të kenë mundësi të ndërtojnë të ardhmen në Shqipëri, duke studiuar, punuar dhe krijuar familjet e tyre me dinjitet dhe kushte të përshtatshme jetese.
Peticioni u drejtohet institucioneve më të larta të vendit dhe paraqet tri kërkesa kryesore: dorëheqjen e kryeministrit, largimin e ministrit të Brendshëm dhe krijimin e një qeverie tranzicioni.










Discussion about this post