Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë ka shprehur shqetësimin për deklaratat publike të kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Ballës lidhur me vendimmarrjen e një prokurori të Tiranës për arrestimet gjatë protestave.
Shoqata thekson se prokurorët janë të pavarur në ushtrimin e funksionit të tyre dhe se vendimet e tyre duhet të bazohen te faktet, provat dhe ligji, pa ndikime politike. Sipas saj, vendimmarrja e prokurorisë mund të kritikohet publikisht, por pretendimet për lidhje politike duhet të mbështeten në fakte konkrete.
Në deklaratë sqarohet gjithashtu se urdhrat për lirimin e menjëhershëm të personave të arrestuar në kundërshtim me ligjin nuk nënkuptojnë pushimin e çështjes penale.
Sipas Shoqatës, këto vendime lidhen me ligjshmërinë e heqjes së lirisë dhe nuk përcaktojnë përfundimisht përgjegjësinë penale të personave të përfshirë.
Në fund, Shoqata e Prokurorëve u bën thirrje përfaqësuesve politikë që të ushtrojnë të drejtën e kritikës me përgjegjësi dhe të shmangin deklaratat që mund të cenojnë pavarësinë e magjistratëve.
Deklarata e Shoqatës së Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë:
Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë shpreh shqetësimin për deklaratat publike të deputetit Taulant Balla lidhur me vendimmarrjen e një prokurori të Prokurorisë së Tiranës për arrestimet gjatë protestave. Aludimet për lidhje politike të prokurorit, të lidhura me një vendimmarrje konkrete, rrezikojnë të cenojnë pavarësinë e tij, respektimi i së cilës është detyrim kushtetues dhe kërkesë e shtetit të së drejtës.
Prokurorët janë magjistratë dhe gëzojnë pavarësi në ushtrimin e funksionit të tyre. Në përmbushjen e detyrës, ata u nënshtrohen vetëm Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi. Vendimmarrja e prokurorëve duhet të mbështetet në faktet dhe provat e administruara, sipas kërkesave të ligjit, pa presione apo ndikime politike.
Në parim, çdo vendim i prokurorisë mund t’i nënshtrohet kritikës, përfshirë kritikën publike. Pavarësia e prokurorëve nuk përbën përjashtim nga llogaridhënia.
Megjithatë, pretendimi për lidhje politike, pa paraqitur fakte konkrete në mbështetje të tij, e zhvendos debatin nga arsyetimi juridik tek diskreditimi personal dhe profesional i magjistratit. Kur një pretendim i tillë shoqërohet me thirrje publike për ndërhyrjen e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për shkak të kësaj vendimmarrjeje, krijohet rreziku i ushtrimit të presionit mbi prokurorin dhe mbi vendimmarrjet e tij të mëtejshme.
Përfaqësuesit politikë kanë përgjegjësi të veçantë për të shmangur këtë lloj retorike në komunikimin publik. Duhet sqaruar për opinionin publik edhe se urdhrat e prokurorit për lirimin e menjëhershëm, kur konstatohen arrestime të kryera në kundërshtim me ligjin, nuk përbëjnë vendime për pushimin e çështjes.
Këta urdhra kanë objekt ligjshmërinë e heqjes së lirisë dhe nuk zgjidhin përfundimisht çështjen e përgjegjësisë penale. Sipas nenit 257 të Kodit të Procedurës Penale, në rastet e parashikuara nga kjo dispozitë, lirimi i menjëhershëm i të arrestuarit është detyrim ligjor i prokurorit.
Çdo pretendim për shkelje profesionale apo etike mund t’u paraqitet organeve kompetente, përfshirë Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, dhe duhet të shqyrtohet mbi fakte, sipas procedurës ligjore. Njëkohësisht, edhe organet që verifikojnë këto pretendime duhet ta ushtrojnë veprimtarinë e tyre në mënyrë të pavarur, pa presione politike.
Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë u bën thirrje përfaqësuesve politikë të ushtrojnë të drejtën e kritikës me përgjegjësi dhe të shmangin aludimet që shënjestrojnë prokurorët.
Mbrojtja e pavarësisë së magjistratëve i shërben një procesi të paanshëm dhe zbatimit të ligjit në mënyrë të barabartë për këdo. Tiranë, më 22.10.2026.










Discussion about this post