Dhoma e Avokatisë Sarandë ka reaguar ashpër ndaj publikimit nga kryeministri Edi Rama të fotografive të personave, përfshirë studentë, të shoqëruara me pretendime për përfshirjen e tyre në vepra penale.
Në një deklaratë të firmosur nga kryetari Rigels Dervishi, Dhoma shprehet se kjo praktikë rrezikon të cenojë prezumimin e pafajësisë, dinjitetin, jetën private dhe mbrojtjen e të dhënave personale.
Sipas saj, ekspozimi publik i individëve duke i lidhur fotografitë e tyre me akuza penale bie ndesh me frymën e legjislacionit vendas dhe standardet e mbrojtjes së të drejtave të njeriut të afirmuara nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut.
Dhoma thekson se edhe një dënim me vendim të formës së prerë nuk përligj çdo formë ekspozimi dhe stigmatizimi publik, pasi rendi juridik parashikon rehabilitimin dhe riintegrimin shoqëror të personave të dënuar. Dhoma e Avokatisë Sarandë kërkon ndërprerjen e kësaj praktike dhe respektimin e të drejtave themelore të çdo individi. Ajo i kujton kryeministrit përgjegjësinë institucionale për garantimin e këtyre të drejtave dhe i kërkon të shmangë përdorimin e autoritetit publik për etiketimin dhe denigrimin e qytetarëve.
Reagimi
Dhoma e Avokatisë Sarandë shpreh shqetësimin dhe kritikat e saj të forta ndaj publikimit nga Kryeministri i Shqipërisë të fotografive të personave, përfshirë studentë, të shoqëruara me pretendime për përfshirjen e tyre në vepra penale.
Praktika të tilla bien ndesh me frymën e legjislacionit të brendshëm dhe me standardet e mbrojtjes së të drejtave të njeriut të afirmuara nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut. Ekspozimi publik i individëve, duke i lidhur fotografitë e tyre me akuza penale, rrezikon të cenojë prezumimin e pafajësisë, dinjitetin, jetën private dhe mbrojtjen e të dhënave personale.
Edhe kur një person është dënuar me vendim të formës së prerë, ky fakt nuk përligj çdo formë ekspozimi dhe stigmatizimi publik. Rendi juridik njeh institutin e rehabilitimit dhe synimin e riintegrimit shoqëror të personave të dënuar, jo ndëshkimin e tyre të përhershëm përmes etiketimit publik.
Shfaqje të tilla të kujtojnë praktikën famëkeqe të “fletërrufeve”, përmes të cilave paraardhësit politikë të Kryeministrit ekspozonin dhe stigmatizonin individë, përfshirë të rinj. Rikthimi i kësaj fryme është i papranueshëm në një shoqëri demokratike.
Dhoma e Avokatisë Sarandë kërkon ndërprerjen e kësaj praktike dhe respektimin e të drejtave themelore të çdo individi. Kryeministri ka përgjegjësinë institucionale të garantojë respektimin e këtyre të drejtave dhe të shmangë përdorimin e autoritetit publik për etiketimin dhe denigrimin e qytetarëve.
KRYETARI I DHOMËS SË AVOKATISË SARANDË
Av. Rigels Dervishi










Discussion about this post