Prokuroria e Fierit ka përfunduar hetimet për vrasjen e Anesti Ramës, 56 vjeç, në fshatin Frashër të Patosit, ngjarje e ndodhur më 23 korrik 2025. Për këtë krim janë dërguar në gjyq vajza e viktimës, Ermalinda Rama, e akuzuar për vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare, dhe bashkëshortja e tij, Valbona Rama, e akuzuar për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.
Sipas Prokurorisë, 26-vjeçarja Ermalinda Rama dyshohet se ka vrarë babanë e saj, Anesti Rama, duke i shtrënguar qafën me një lak teli, çka i ka shkaktuar asfiksi dhe vdekjen e menjëhershme.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 23:00 të datës 23 korrik 2025, në banesën e familjes Rama, në fshatin Frashër të Patosit.
Nga hetimet ka rezultuar se pas ngjarjes, përpara mbërritjes së shërbimeve të Policisë, bashkëshortja e viktimës dhe nëna e 26-vjeçares, Valbona Rama, dyshohet se ka pastruar ambientin ku ndodhej trupi i pajetë, si dhe ka kryer larjen e tij.
Sipas organit të akuzës, këto veprime dyshohet se janë kryer me qëllim ndryshimin apo fshehjen e gjurmëve të krimit, duke penguar zbulimin e së vërtetës.
Si u zbulua ngjarja?
Fillimisht, 26-vjeçarja kishte njoftuar autoritetet se babai i saj kishte humbur jetën në rrethana aksidentale. Megjithatë, dyshimet e ngritura gjatë veprimeve të para hetimore bënë që Policia dhe Prokuroria të vijonin hetimet për të përcaktuar shkakun e vdekjes.
Hetimet e kryera nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, në bashkëpunim me Prokurorinë, ngritën dyshimet se 56-vjeçari ishte vrarë përmes shtrëngimit të qafës me tel.
Në atë kohë, Policia njoftoi se e reja kishte pranuar autorësinë e krimit, ndërsa nëna e saj ishte shoqëruar për t’u hetuar lidhur me rolin e dyshuar në pastrimin e trupit të viktimës.
Për të arritur në përfundimet e saj, Prokuroria ka administruar deklarimet e marra gjatë hetimit, rezultatet e ekspertimit mjekoligjor, këqyrjen e vendit të ngjarjes, sendet e sekuestruara dhe prova të tjera.
Në bazë të këtyre provave, organi i akuzës ka arritur në përfundimin se Ermalinda Rama ka kryer veprimet që i shkaktuan vdekjen të atit, ndërsa nëna e saj dyshohet se ka ndërhyrë për të penguar zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Njoftimi i prokurorisë Fier:
Prokuroria Fier përfundon hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasen E.R. për vrasjen e babait të saj dhe të ëmën për fshehjen e gjurmëve të krimit
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm, Fier përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasen E.R., e akuzuar për kryerjen e veprës penale ‘Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare’ parashikuar nga neni 79/a të Kodit Penal dhe shtetasen V.R., e akuzuar për kryerjen e veprës penale ‘Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës’, parashikuar nga neni 301 të Kodit Penal.
Në përfundim të hetimeve, mbi procedimin penal nr.1073/2025, rezultoi se më 23/07/2025, në banesën e familjes, në fshatin Frashër, Patos, shtetasja E.R. ka vrarë babain e saj, shtetasin A.R., duke i shtrënguar qafën me një lak teli, duke i shkaktuar asfiksi dhe vdekjen e menjëhershme.
Pas ngjarjes dhe përpara mbërritjes së shërbimeve të policisë, shtetasja V.R., bashkëshortja e viktimës dhe nëna e të akuzuarës, ka kryer veprime për pastrimin e ambientit ku u gjet viktima dhe për larjen e trupit të tij. Këto veprime kanë pasur si qëllim ndryshimin ose fshehjen e gjurmëve dhe pengimin e zbulimit të së vërtetës.
Nga analiza e deklarimeve të administruara, rezultateve të ekspertimit mjeko-ligjor, këqyrjes së vendit të ngjarjes, sendeve të sekuestruara dhe provave të tjera të administruara gjatë hetimit, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Pëtgjithshëm Fier arriti në përfundimin se shtetasja E.R. ka kryer veprimet që kanë sjellë vdekjen e babait të saj, ndërsa shtetasja V.R. ka kryer veprimet e mësipërme me qëllim pengimin e zbulimit të së vërtetës










Discussion about this post