Asociacioni i Gazetarëve Shqiptarë (AGSH) ka denoncuar dhjetëra raste sulmesh ndaj gazetarëve dhe punonjësve të mediave gjatë protestave, duke kërkuar nisjen e hetimeve për çdo incident të raportuar.
Përfaqësuesi i AGSH-së, Isa Myzyraj, deklaroi se janë dokumentuar 41 raste sulmesh të synuara ndaj mediave dhe gazetarëve, ndërsa rreth 60 punonjës mediash janë përfshirë në incidente.
Myzyraj theksoi se këto shifra dëshmojnë klimën e vështirë në të cilën po ushtrojnë profesionin gazetarët. Ai veçoi gjashtë raste që i cilësoi veçanërisht shqetësuese, ku punonjësit e mediave janë goditur me plumba gome nga policia.
Përfaqësuesi i AGSH-së kërkoi që Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) dhe Prokuroria e Tiranës të nisin hetimet për të gjitha rastet e raportuara nga organizata.
Ai kërkoi gjithashtu distancim dhe sqarime nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, duke argumentuar se, si drejtuesi më i lartë i strukturës policore, ai duhet të japë përgjigje për sulmet ndaj gazetarëve.
Isa Myzyraj: 41 raste sulmesh të synuara ndaj mediave dhe gazetarëve. Kjo tregon klimën e vështirë dhe klimën e vështirë ku punojnë gazetarët.
Rreth 60 punonjës mediash janë përshirë në incidente. 6 raste janë më shqetësuese, kur policia ka përdorur ndaj punonjësve të mediave plumba gome.
Na ka ndihmuar shumë që shumica e rasteve janë të dokumentuar me pamje filmike.
AMP dhe Prokuroria e Tiranës, të nisin hetimet në të gjitha rastet e raportuara nga AGSH. I kërkojmë distancim dhe sqarim zotit Skënder Hitaj, I pari në listën e komandës së policisë dhe duhet të përgjigjet për rastet e sulmeve ndaj gazetarëve.
Partitë politike të dënojnë sulmet ndaj gazetarëve, përfshirë partinë në pushtet. Deputetët duhet të tregojnë që janë kundër dhunës ndaj gazetarëve dhe medias.
SPAK dhe prokuroria e Tiranës, jemi gati t’u vëmë në dispozicion fakte. Shteti ka mekanizma të nisë hetimet kryesisht për një numër kaq të madh të tejkalimit të detyrës dhe ushtrimit të dhunës nga policia.










Discussion about this post