Elbasani ka përmbysur gjithçka në minutat e fundit, duke mposhtur Partizanin me rezultatin 2-1 në “Elbasan Arena”, në një ndeshje të mbushur me emocione dhe polemika.
Verdheblutë shënuan dy herë në fund të takimit, duke i shkaktuar një tjetër goditje të kuqve, të cilët vazhdojnë të qëndrojnë në vendin e fundit të renditjes.
Partizani e nisi më mirë takimin dhe kaloi në avantazh në minutën e 16-të. Pas një goditjeje dënimi të harkuar në zonë, Joviçiç u shkëput mirë dhe me kokë mposhti Aleksovskin, duke i dhënë epërsinë skuadrës së tij.
Të kuqtë arritën ta ruanin avantazhin deri në minutat e fundit, pavarësisht rasteve të krijuara nga Elbasani, që kërkoi vazhdimisht golin e barazimit. Në pjesën e dytë, vendasit shtuan presionin, ndërsa Partizani pati mundësi të mira për të dyfishuar rezultatin, por nuk arriti t’i shfrytëzonte.
Në minutën e 82-të, Mazari riktheu baraspeshën me një gjuajtje nga jashtë zonës, e cila u devijua nga Pasagiç dhe përfundoi në rrjetë. Stadiumi shpërtheu në festë, por drama nuk kishte përfunduar ende.
Vetëm gjashtë minuta më vonë, Elbasani gjeti sërish rrugën e rrjetës. Nikaj dërgoi topin në portë pas një pasimi mbrapa të Markut, por fillimisht goli u anulua për pozicion jashtë loje. Pas verifikimit me VAR, ku u shqyrtua edhe një faull i pretenduar ndaj Qirkos, kryesori Çelaj vendosi ta quante të rregullt golin, duke i dhënë avantazhin 2-1 skuadrës vendase.
Vendimi shkaktoi polemika, ndërsa Partizani nuk arriti të reagonte në minutat e mbetura. Elbasani festoi një përmbysje të madhe, duke siguruar tri pikë të rëndësishme në kampionat.
Për Partizanin, kjo është një tjetër humbje e dhimbshme në një sezon që po bëhet gjithnjë e më i vështirë. Të kuqtë vijojnë të renditen në vendin e fundit dhe kriza e rezultateve thellohet, ndërsa Elbasani merr një fitore që mund t’i japë një shtysë të rëndësishme për vazhdimësinë.
gijotina.com/










Discussion about this post