Teksa në Këshillin Bashkiak të Tiranës po zhvillohet mbledhja e radhës, nënkryetari i Bashkisë, Dorian Teliti, ka reaguar me tone të ashpra për transferimin e Erion Veliajt drejt burgut të Fierit, por edhe për dhunën e ushtruar ndaj studentëve gjatë protestave kundër qeverisë.
Teliti tha se Bashkia e Tiranës duhej të ishte njoftuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve për transferimin e kryebashkiakut, ndërsa u bëri thirrje përfaqësuesve socialistë që të reagojnë ndaj dhunës policore kundër të rinjve që protestojnë.
“Ajo që dua të diskutoj, dua të ndalem te problemet dhe fati i kësaj bashkie. Halit Valteri tha: ‘U rrëmbye kryetari i Bashkisë së Tiranës’. Po, e vërtetë. Dua të di se kush rrëmbehet dhe kush janë ata që japin urdhra dhe e konsiderojnë Bashkinë e Tiranës aq zhele, sa marrin atë që duhet ta kishin larguar siç duhet, dhe pse ai u kthye nga Kushtetuesja në krye të bashkisë.
Nuk e kam hallin te Veliaj, se ai duhet të paguajë për ato para të vjedhura që iu gjetën të mykura. Por duhet të jepet llogari për Bashkinë e Tiranës. Na duhet reagim për ata të rinj që kanë ngrënë shkopinj gome në protestë. Për atë të riun që iu thye këmba nga shkopi i gomës, apo për ata të rinj që janë rrahur. Ju shumë mirë që flisni për Erion Veliajn, por flisni edhe për qytetarin e thjeshtë, për atë njeri që nuk ka shpresë. Ka vend për të futur emigrantët, por jo studentët në konviktet tona. Flasim për problematikat e transportit, apo edhe për protestën e studentëve që po mbahet tani para Ministrisë së Arsimit.
Të flasim për atë qytetarin e pafajshëm, që nuk i janë mykur eurot në xhep, sepse nuk ka. Sot në bulevard protestojnë të rinjtë, prej 15 ditësh, sepse nuk kanë shtëpi. Nuk kanë ku të rrinë. Për këtë duhet të flasim këtu. Kur futem në këtë sallë, ndiej lloj-lloj parfumesh të shtrenjta. Nëse i keni blerë me para korrupsioni, haram i paçi! Duhet të ngriheni të shkojmë në protestë. I ftoj të gjithë: ngrini menderen nga karrigia dhe bashkojuni protestës”, deklaroi Teliti.
gijotina.com/










Discussion about this post