Shqipëria vijon të përballet me informalitet të lartë në tregun e druve të zjarrit, degradim të sipërfaqeve pyjore dhe varësi të konsiderueshme nga importet e lëndës drusore.
Një raport i Ministrisë së Mjedisit, i dorëzuar pranë Komisionit Ekonomik të Kombeve të Bashkuara për Europën (UNECE), evidenton se deri në 90% e tregut të druve të zjarrit vlerësohet se funksionon në informalitet, ndërsa rreth 71% e sipërfaqeve pyjore përbëhet nga pyje të degraduara, cungishte apo shkurre të ulëta.
Dokumenti, i dorëzuar më 23 tetor 2026, është përgatitur për sesionin e 84-t të Komitetit për Pyjet dhe Industrinë Pyjore të UNECE, që do të zhvillohet në datat 4–6 nëntor 2026. Ai analizon zhvillimet e sektorit gjatë viteve 2025–2026 dhe perspektivën për vitin 2027.
Raporti nxjerr në pah një kontradiktë të rëndësishme: megjithëse Shqipëria ka prej vitit 2016 një moratorium për prerjen e pyjeve, sektori vazhdon të përballet me informalitet, vështirësi në gjurmimin e lëndës drusore dhe probleme strukturore që pengojnë zhvillimin e industrisë përpunuese.
Deri në 90% e tregut të druve të zjarrit jashtë formalitetit
Një nga konstatimet më shqetësuese të dokumentit lidhet me informalitetin në tregun e druve të zjarrit.
Duke iu referuar një studimi sektorial të përgatitur për zhvillimin rural të Shqipërisë, raporti thekson se 80–90% e tregut të druve të zjarrit vlerësohet të jetë informal.
Ky treg mbetet veçanërisht i rëndësishëm për ekonominë rurale, ku shumë familje vazhdojnë ta përdorin drurin si burim kryesor energjie për ngrohje, gatim dhe nevoja të tjera shtëpiake.
Sipas të dhënave të cituara, konsumi mesatar i familjeve që përdorin dru arrin në 5.36 metra kub në vit, ndërsa për familjet që mbështeten ekskluzivisht te drutë si burim energjie, konsumi rritet në 6.4 metra kub.
Raporti evidenton gjithashtu se, sipas autoriteteve vendore të përfshira në studim, kërkesa për dru zjarri është më e lartë sesa sasia që mund të sigurohet ligjërisht dhe në mënyrë të qëndrueshme nga pyjet.
Kjo situatë krijon presion mbi fondin pyjor dhe vështirëson kontrollin e origjinës së lëndës drusore që tregtohet në vend.
Duhet theksuar se vlerësimi për informalitetin mbështetet në një studim të vitit 2021, të cituar nga Ministria në raportin e vitit 2026, dhe nuk përbën një matje të re të tregut për këtë vit.
Rreth 71% e sipërfaqeve pyjore të degraduara ose me potencial të ulët drusor
Sipas raportit, fondi kombëtar pyjor dhe kullosor i Shqipërisë përfshin 1,731,891 hektarë, bazuar në të dhënat e INSTAT për vitin 2025.
Megjithatë, sipërfaqja e konsiderueshme nuk përkthehet domosdoshmërisht në pasuri të lartë drusore.
Ministria e Mjedisit evidenton se rreth 71% e sipërfaqeve të pyllëzuara përbëhet nga cungishte, zona shumë të degraduara ose shkurre të ulëta, ndërsa vëllimi i lëndës drusore në këmbë mbetet i ulët.
Dokumenti thekson se, që prej viteve 2000, Shqipëria ka humbur rreth 100 mijë hektarë pyje si pasojë e prerjeve intensive, rrëshqitjeve të tokës, erozionit, mbikullotjes dhe shfrytëzimit të druve për ngrohje.
Sipas raportit, këto procese kanë tejkaluar ritmin natyror të rritjes së pyjeve, duke sjellë reduktim të rezervave drusore dhe përkeqësim të cilësisë së tyre.
Pasojat nuk kufizohen vetëm te ekonomia pyjore. Degradimi i pyjeve ndikon në rritjen e rrezikut nga përmbytjet, uljen e pjellorisë së tokës, erozionin dhe humbjen e biodiversitetit.
Moratoriumi uli shkeljet e regjistruara, por nuk zgjidhi problemet e tregut
Raporti vlerëson se moratoriumi i vendosur në shkurt 2016 ka ndikuar pozitivisht në forcimin e kontrollit formal dhe ruajtjen e pyjeve.
Sipas të dhënave të cituara, numri i kundërvajtjeve administrative të regjistruara në fondin pyjor ka rënë nga 443 në vitin 2015, në vetëm 2 në vitin 2024.
Megjithatë, rënia e kundërvajtjeve të evidentuara administrativisht nuk është domosdoshmërisht tregues i zhdukjes së shfrytëzimit të paligjshëm.
Vetë dokumenti pranon se zbatimi i rregullave mbetet i dobët në disa hallka dhe se sistemi i gjurmueshmërisë së lëndës drusore është ende i pazhvilluar.
Aktualisht Shqipëria nuk ka një sistem kombëtar të unifikuar që të mundësojë ndjekjen e lëndës drusore nga momenti i prerjes deri në tregtimin përfundimtar.
Shumica e operatorëve vijojnë të mbajnë regjistra në letër, të cilët nuk janë të integruar me bazat kombëtare të të dhënave.
Kjo e bën më të vështirë verifikimin e origjinës së drurit, ligjshmërisë së tij dhe lëvizjes përgjatë zinxhirit të furnizimit.
Industria e mobilieve, mbi 90% e materialeve bazë nga importi
Një tjetër problem i evidentuar lidhet me varësinë e industrisë përpunuese nga importet.
Sipas raportit, mbi 90% e lëndëve të para dhe paneleve me bazë druri që përdoren në industrinë vendase të mobilieve importohen.
Kufizimet e furnizimit vendas, infrastruktura e dobët pyjore dhe mungesa e teknologjisë moderne kanë bërë që një pjesë e konsiderueshme e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme të mbështeten te materialet gjysmë të përpunuara nga jashtë.
Vetëm në vitin 2023, Shqipëria importoi rreth 26.86 milionë dollarë lëndë drusore të sharruar, sipas të dhënave të Bankës Botërore të cituara në raport.
Furnizuesit kryesorë ishin Mali i Zi, me 8.36 milionë dollarë, Bosnja dhe Hercegovina, me 7.87 milionë dollarë, si dhe Finlanda, me 2.35 milionë dollarë.
Nga ana tjetër, rreth 70% e eksporteve shqiptare të mobilieve drejtohen në tregun italian, çka tregon një përqendrim të lartë të shitjeve në një destinacion të vetëm.
Kjo krijon një situatë ku industria shqiptare importon pjesën dërrmuese të materialeve të nevojshme për prodhim, ndërsa mbështetet kryesisht te një treg i huaj për eksportet e saj.
Deri në 30% e lëndës drusore të përdorshme humbet përpara përpunimit
Raporti evidenton edhe probleme serioze të eficiencës ekonomike në zinxhirin e furnizimit.
Për shkak të infrastrukturës së papërshtatshme pyjore, mungesës së makinerive moderne dhe varësisë së lartë nga puna manuale, vlerësohet se 25–30% e vëllimit të drurit të përdorshëm humbet përpara se të arrijë në sharrat e përpunimit.
Rrugët e ngushta dhe të amortizuara pyjore rrisin kostot e transportit, ndërsa pajisjet e vjetruara kufizojnë produktivitetin e ndërmarrjeve.
Kjo përkthehet në kosto më të larta për industrinë vendase dhe konkurrueshmëri më të ulët përballë prodhuesve të huaj.
Raporti evidenton gjithashtu se Shqipëria nuk ka aktualisht kapacitete industriale vendase për prodhimin e pulpës dhe letrës, duke u mbështetur plotësisht te importet për këto produkte, përfshirë kartonin dhe materialet e paketimit.
Tregu i karbonit, një mundësi ende në fazat fillestare
Përtej problemeve të sektorit pyjor, dokumenti trajton edhe perspektivën e zhvillimit të tregut të karbonit.
Shqipëria synon të marrë pjesë në mekanizmat e bashkëpunimit vullnetar sipas nenit 6 të Marrëveshjes së Parisit dhe të shesë kredite karboni deri në vitin 2035.
Gjithashtu, është në zhvillim një sistem i tregtimit të emetimeve, i cili synohet të përafrohet me standardet e Bashkimit Europian.
Megjithatë, raporti e klasifikon kuadrin shqiptar të tregut të karbonit si ende në fazat e hershme të zhvillimit.
Pyjet nën administrimin e bashkive, sfida e menaxhimit mbetet
Një element tjetër me rëndësi lidhet me administrimin e fondit pyjor.
Sipas dokumentit, vetëm 3% e tokës pyjore është në pronësi private. Nga sipërfaqja e administruar publikisht, 77% është nën juridiksionin e bashkive dhe 20% përfshihet në zonat e mbrojtura.
Kjo e vendos pushtetin vendor në një rol kyç për menaxhimin dhe mbrojtjen e pyjeve.
Megjithatë, raporti evidenton se decentralizimi i administrimit pyjor, i shoqëruar me ristrukturime të shpeshta administrative dhe vështirësi institucionale, nuk ka arritur të eliminojë problemet e shfrytëzimit të pakontrolluar të burimeve. /ekofin.al










Discussion about this post