Sot, Presidenti i Republikës dekretoi datën 9 maj 2027 për zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore.
Sipas Kodit Zgjedhor, zgjedhjet duhet të zhvillohen brenda periudhës zgjedhore të pranverës, e cila përfshin katër të diela midis datës 15 prill dhe 15 maj.
Për caktimin e datës së zgjedhjeve, Presidenti i Republikës thirri në konsultë gjithë faktorin politik që përfaqësohet në Kuvendin e Shqipërisë dhe Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve si përfaqësues i organit përgjegjës për zgjedhjet në Shqipëri. Thirrjes në konsultë iu përgjigj Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, Partia Socialdemokrate dhe Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve.
Subjektet e tjera preferuan t’i qëndrojnë larg konsultës, sikurse nuk bënë publik asnjë parapëlqim partiak lidhur me datën e zgjedhjeve.
Subjektet e përfshira në konsultë u treguan të hapur për secilën zgjidhje.
Komisioneri sugjeroi datën 9 maj 2027, ditën e fundit të kalendarit, me arsyetimin se kjo datë jep më shumë kohë për masat zbatuese. Partia Socialdemokrate gjithashtu parapëlqen këtë datë.
Data 9 maj 2027 nuk është e lidhur me asnjë rezervë apo paragjykim për favorizim të palëve të caktuara apo për ndikim potencialisht të dëmshëm në vullnetin e lirë dhe të pandikuar të zgjedhësve.
Në këto kushte, Presidenti i Republikës i dha forcë juridike datës 9 maj 2027.
Me këtë rast, Presidenti i Republikës fton subjektet politike të marrin pjesë në zgjedhje me alternativa, platforma dhe kandidatë në lartësinë e këtij procesi themelor demokratik; palët të zhvillojnë një proces konkurrues të drejtë, të përkushtuar e luajal, të respektojnë me vetëdije të spikatur kuadrin ligjor dhe barazinë e armëve, si dhe të bashkëpunojnë pa rezerva me KQZ-në për zhvillimin e një procesi shembullor dhe në përputhje me standardet më të larta për një shoqëri demokratike.










Discussion about this post