Reshjet e shiut, rënia e temperaturave dhe mjegulla kanë përfshirë qarkun e Kukësit, ndërsa në zonat e larta malore janë regjistruar edhe reshje dëbore. Përkeqësimi i kushteve atmosferike ka prekur të tria bashkitë, Kukësin, Tropojën dhe Hasin, duke krijuar vështirësi kryesisht në zonat e thella malore.
Pavarësisht motit të paqëndrueshëm, deri më tani nuk raportohen situata problematike apo emergjenca që kanë ndikuar ndjeshëm në përditshmërinë e banorëve.
Megjithatë, reshjet kanë shkaktuar rënie gurësh në disa segmente të rrugëve nacionale, veçanërisht në akset që përshkojnë zonat malore. Falë ndërhyrjes së menjëhershme të kompanive të mirëmbajtjes, gurët janë larguar nga rruga, duke shmangur bllokimin e qarkullimit.
Situata paraqitet e qëndrueshme edhe në Rrugën e Kombit, ku lëvizja e automjeteve vijon normalisht, pavarësisht reshjeve dhe kushteve të vështira atmosferike.
Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë udhëtimit, për shkak të lagështisë në asfalt dhe rrezikut të rrëshqitjes, veçanërisht në segmentet malore.
Ndërkohë, sipas parashikimeve meteorologjike, nga e mërkura e javës së ardhshme pritet një përmirësim gradual i motit. Reshjet pritet t’ia lënë vendin kthjellimeve dhe vranësirave kalimtare, duke i dhënë fund periudhës së motit të paqëndrueshëm që ka përfshirë ditët e fundit qarkun e Kukësit.









Discussion about this post