Bordi i Transparencës ka vendosur këtë të shtunë, më 31 tetor, të ulë sërish çmimin e naftës, duke e rikthyer në 212 lekë për litër.
Vendimi vjen vetëm një ditë pasi çmimi ishte rritur me 6 lekë, duke arritur në 218 lekë për litër. Pra, brenda tri ditësh, nafta ka kushtuar 212 lekë, më pas 218 lekë dhe tani rikthehet sërish në 212 lekë.
Një luhatje që ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si përcaktohen çmimet dhe arsyet e ndryshimeve kaq të shpeshta, ndërsa drejtuesit e automjeteve duhet të ndjekin pothuajse çdo ditë vendimet e Bordit për të mësuar sa do të paguajnë në pikat e karburantit.
Sipas vendimit të fundit, çmimi maksimal i shitjes me pakicë të naftës do të jetë 212 lekë për litër, ndërsa ai i shitjes me shumicë nuk duhet të kalojë 200 lekë për litër.
Ndërkohë, benzina do të tregtohet me një çmim maksimal prej 179 lekësh për litër në shitjen me pakicë dhe 167 lekësh për litër në shitjen me shumicë.
Çmimet e reja hyjnë në fuqi sot, më 31 tetor, në orën 12:00 dhe do të mbeten të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit të Transparencës.









Discussion about this post