Edi Rama prezantoi këtë të hënë planin për transformimin e administratës publike, duke vendosur në qendër të reformës atë që e quajti “shkalla e meritës” dhe vlerësimin e punonjësve në bazë të performancës dhe shërbimit ndaj qytetarëve.
Sipas Ramës, synimi është që punësimet dhe promovimet në administratën shtetërore të mbështeten te aftësitë dhe rezultatet, ndërsa njoftoi edhe krijimin, për herë të parë, të një ministrie të posaçme për administratën publike dhe mirëqeverisjen, që do të drejtohet nga Adea Pirdeni.
Reforma që synon vendosjen e meritokracisë në administratë prezantohet vetëm tani, pas 13 vitesh të PS në qeveri.
Gjatë gjithë kësaj periudhe, administrata publike ka qenë shpesh objekt kritikash për emërime politike, ndryshime të shpeshta të stafit dhe mungesë stabiliteti profesional.
“Kemi reflektuar mbi mënyrën se si të jemi më pranë njerëzve, duke e sjellë më pranë administratën, më pranë shtetin, duke sjellë më pranë tyre edhe ndjesinë se janë ata që janë arsyeja ekzistenciale, jetësore e shërbimeve të administratës.
Pjesë e këtyre ndryshimeve, ku kemi thirrur në ndihmë IA-në, por jo vetëm, është edhe Shkalla e Meritës. Tjetër reformë që në thelb ka të bëjë me një pyetje shumë të thjeshtë:
Si ta bëjmë administratën një hapësirë ku njerëzit më të aftë, më të përgatitur, më të përkushtuar dhe më të dëshiruar që t’i shërbejnë vendit nga ana e shtetit, të mund jo vetëm të hyjnë, por edhe të ecin përpara, kur hyjnë, në shkallën e hierarkisë në administratë?
Pjesë e kësaj reforme është edhe krijimi i Ministrisë së Administratës Publike, që i përkushtohet administratës dhe mirëqeverisjes, përfshirë organizimin e institucioneve, trajtimin e kapitalit njerëzor dhe përgjegjësinë e secilit brenda administratës ndaj qytetarit që troket, kërkon t’i qahet halli dhe kërkon që halli i tij të mos humbasë në oqeanin e burokracisë”, tha Rama.










Discussion about this post