Këshilli i Lartë Gjyqësor ka propozuar një zgjerim të ndjeshëm të organikës së gjyqtarëve në vend, për të përballuar numrin e lartë të dosjeve të mbartura në gjykata dhe për të shkurtuar kohën e pritjes për drejtësi. Projektvendimi i hedhur për konsultim publik, parashikon shtimin e 84 gjyqtarëve të përhershëm dhe krijimin e 18 vendeve rezervë.
Kështu, numri i vendeve të përhershme në sistem do të arrinte në 519, ndërsa për një periudhë nëntëvjeçare parashikohet edhe angazhimi i 9 gjyqtarëve shtesë në Gjykatën e Lartë për trajtimin e çështjeve të prapambetura.
Pjesa më e madhe e vendeve të reja do t’u përkasë gjykatave të shkallës së parë me 64 pozicione shtesë, ndërsa 20 vende të tjera do të shpërndahen në gjykatat e apelit. Rritja më e madhe parashikohet në Tiranë, Durrës, Fier dhe në gjykatat administrative.
Sipas planit, plotësimi i organikës së re do të bëhet gradualisht deri në vitin 2030, kryesisht përmes prurjeve nga Shkolla e Magjistraturës. Ndërkohë, gjyqtarët rezervë do të shërbejnë për të zëvendësuar vakancat që krijohen kur magjistratët angazhohen në institucione të tjera.
Propozimi përfshin edhe shtimin e stafit administrativ dhe investime në infrastrukturën e gjykatave. Kostoja financiare e këtij plani llogaritet rreth 14 milionë euro në vit.
Megjithatë zbatimi i tij mbetet një sfidë, pasi aktualisht në sistem janë efektivisht në detyrë vetëm 309 gjyqtarë nga 417 vende të parashikuara në organikën ekzistuese. Kjo për shkak të vakancave dhe mungesës së emërimeve të reja.
“44 prej tyre të shkojnë për juridiksionin e përgjithshëm, konkretisht 18 në Tiranë, 6 në Durrës, 5 në Elbasan, 6 në Fier, 3 në Korçë, 3 në Shkodër dhe 3 në Vlorë. Për juridiksionin administrativ propozohet shtimi me 18 vende, ku 16 i caktohen Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë dhe 2 Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Lushnje. Ndërsa në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar propozohet shtimi me 2 vende.
Studimi evidenton nevojën për një kapacitet shtesë prej 9 gjyqtarësh në Gjykatën e Lartë, për një mandat të vetëm, të parinovueshëm dhe të lidhur me trajtimin e një kategorie të përcaktuar çështjesh. Kjo masë synon të kontribuojë në reduktimin e stokut të akumuluar në këtë gjykatë.
Propozohet një minimum planifikimi prej 336 punonjësish jogjyqtarë për 102 vendet e përhershme, si dhe 56 punonjës për paketën e përkohshme prej 9 gjyqtarësh në Gjykatën e Lartë. Gjithashtu, studimi thekson se shtimi i pozicioneve të reja duhet të shoqërohet me sigurimin e infrastrukturës së nevojshme ndërtimore dhe teknologjike të nevojshme për funksionimin efektiv të gjykatave. Për këtë qëllim, rekomandohet hartimi i një plani të posaçëm investimesh”, thuhet në dokumentin që propozon projektvendimin.


gijotina.com/










Discussion about this post