Me gjithë premtimet e gënjeshtërta të qeverisë shqiptare për çeljen e shpejtë të IPARD, Bashkimi Europian e mohoi rifillimin e disbursimeve.
Në raportprogresin për Shqipërinë, BE zbulon se fondet do të vazhdojnë të mbeten të ngrira pa afat për shkak të dështimit të qeverisë shqiptare për të garantuar mbrojtjen e parave të taksapaguesve europianë.

Dokumenti zbardh faktin se Shqipëria ka dorëzuar kërkesat zyrtare për menaxhimin e buxhetit më 1 prill dhe 18 qershor 2026, por BE ka refuzuar t’i japë dritën jeshile agjencisë zbatuese (AZHBR), duke specifikuar në Aneksin I se programi prej 94 milionë eurosh “nuk ka nisur ende” për shkak të mosplotësimit të parakushteve të menaxhimit të shëndoshë financiar dhe mungesës së zbatimit të plotë të planeve anti-mashtrim.
Pa “Menaxhim të Shëndoshë Financiar”, fondet nuk hapen
Komisioni Evropian konstaton në Kapitullin 11 se rekomandimet e vitit të kaluar janë zbatuar vetëm pjesërisht.
Për këtë arsye, Brukseli e kushtëzon hapjen e paketës së re me plotësimin e parakushteve të sigurisë administrative, duke urdhëruar që Shqipëria duhet veçanërisht të sigurojë që parakushtet për besimin e detyrave të zbatimit të buxhetit sipas programit IPARD III të jenë përmbushur në përputhje me parimet e menaxhimit të shëndoshë financiar.
Lidhja direkte me mashtrimet dhe hetimet e hapura
Arsyeja se pse Bashkimi Evropian refuzon të lëshojë autorizimin e fondeve zbardhet në Kapitullin 32, i cili trajton Kontrollin Financiar. Përpara se Shqipëria të mund të prekë buxhetin e ri, raporti specifikon se vendi duhet të pastrojë sistemin nga abuzimet e konstatuara më parë. Për ta arritur këtë, Komisioni kërkon që institucionet shqiptare të ndërmarrin tri detyra urgjente:
• Të forcojnë kontrollet dhe të konsolidojnë kapacitetet për të mbrojtur interesat financiare të BE-së.
• Të sigurojnë raportimin e duhur dhe transparent të parregullsive administrative.
• Të vazhdojnë zbatimin e strategjisë anti-fraud (kundër mashtrimit) dhe të planeve të veprimit të rëna dakord me Komisionin Evropian për të ndjekur hetimet e hapura.








Discussion about this post