Tenderi që po raportojmë quhet “Rikonstruksion i rrugës së vjetër Kombinat – Ndroq – Plepa, Loti 2” me fond limit 1 177 556 901 lekë të reja pa TVSH. Procedura është vlerësuar nga Open Data Albania me risk korrupsioni, me “Flamur të kuq”. Skualifikim i të gjithë konkurrentëve përveç fituesit. “ALBAVIA” shpk, u shpall zyrtarisht fituese më 16 shtator 2026. Ne kemi dyshimin se tenderi është mbajtur fiktivisht dhe fituesi ka qenë i paracaktuar. Indicia jonë, që duhet të mbahet shënim edhe nga SPAK, ka të bëjë me mos plotësimin e kritereve mbi kapacitetin Teknik të firmës, sipas kërkesave të shpallura nga vetë ARRSH. Po ashtu, i referohemi procesverbalit “Për argumentimin dhe miratimin e specifikimeve teknike dhe kritereve për kualifikim” të këtij tenderi. Sipas këtij dokumenti, stafi minimal i kërkuar për zbatimin e kontratës është 100 persona. “Media 60” i kërkoi Autoritetit Rrugor Shqiptar: “1-Kopje të Formularit Përmbledhës të Vetëdeklarimit (Shtojca 8), të paraqitur nga ALBAVIA SHPK, veçanërisht pjesët që lidhen me personelin, forcat e punës, mjetet dhe pajisjet. 2-Dokumentacionin e paraqitur nga fituesi pas vlerësimit të ofertave, në fazën e verifikimit të dokumenteve provuese dhe përpara lidhjes së kontratës”. Heshtje! Autoritetin e ka marrë peng korrupsioni dhe nuk ka asnjë lloj transparence! Megjithatë, gjurmët ekzistojnë tek bilanci ekonomik i firmës, i raportuar vetëm 3 muaj më parë. Nga investigimi i kryer na rezulton se ALBAVIA nuk e disponon këtë personel. Sipas pasqyrës financiare, të dorëzuar tek Tatimet, kompania më 31 dhjetor 2025 kishte 91 punonjës.








Discussion about this post