Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim biznesmenin italian Giovanni Telesco dhe kompaninë e tij “Euro Beton 2005”, të akuzuar për mashtrim, fshehje të të ardhurave dhe pastrim parash.
Hetimet disa mujore kanë zbuluar një skemë mashtrimi me furnizimet e lëndëve të para për prodhimin e betonit, ndërsa autoritetet kanë sekuestruar pasuri me vlerë rreth 10 milionë euro.
Sipas Prokurorisë, biznesmeni italian siguronte lëndë të para nga kompani të ndryshme, duke u premtuar furnitorëve se do t’i paguante me para ose do t’u jepte apartamente në këmbim. Megjithatë, pasi merrte materialet, ai mohonte furnizimet e kryera dhe detyrimet financiare ndaj tyre.
Lëndët e para përdoreshin për prodhimin e betonit, i cili më pas tregtohej nga kompania. Hetuesit dyshojnë se një pjesë e furnizimeve nuk regjistrohej në dokumentacionin fiskal, ndërsa shitjet e betonit shërbenin për të fshehur të ardhurat dhe për t’u dhënë pamje të ligjshme përfitimeve të siguruara përmes veprimtarisë së dyshuar kriminale.
Giovanni Battista Telesca është ortak me Arjan Ormenajn dhe Bujar Gazhelin në kompaninë “Euro Beton”.
Pas disa muajsh hetimesh, Prokuroria ka vendosur nën sekuestro pasuritë e kompanisë, me vlerë të përllogaritur në rreth 10 milionë euro.
Konkretisht janë sekuestruar pasuritë:
-Tokë arë, me sipërfaqe 560 m²;
-Pallat, me sipërfaqe 2780 m², si dhe 914 m² ndërtim;
-Tokë arë me sipërfaqe 1580 m²;
-Tokë arë me sipërfaqe 310 m²;
-Njësi, me sipërfaqe 71.5 m²;
-Tokë arë me sipërfaqe 63 m², në bashkëpronësi të shoqërisë “EURO BETON 2005” sh.p.k.
-Njësi, me sipërfaqe 61.6 m², vol. 30, fq. 52, ZK 8160;
-Njësi, me sipërfaqe 138.84 m², vol. 19, fq. 235, ZK 8180.
Gjithashtu u sekuestruan pasuri të luajtshme në pronësi të subjektit nën hetim, ne total 25 automjete të tipit betonierë, pombë betoni, transport e pompa betoni.









Discussion about this post