Takimet e ambasadores së BE-së, De Sousa, dhe të kreut të Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Tarran, me dy bashkëkryetarët e reformës zgjedhore dhanë efektin.
Mazhoranca dhe opozita nisën realisht punën në komision, afati i të cilit përfundon vetëm pas dy javësh, më 30 nëntor. Gjiknuri dhe Bylykbashi janë dakordësuar për të vijuar punën, me shpresën se do të arrihet një produkt i përbashkët.
Bylykbashi: T’u kërkojmë ekspertëve të ODIHR-it të vijnë dhe të jenë të pranishëm në punën e ekspertëve të komisionit, që të punojnë së bashku dhe të nxjerrin një produkt.
Gjiknuri: Jam dakord që draftet të vijnë sa më shpejt, që të fillojë puna, të kërkojmë ndihmën e ekspertëve të ODIHR-it.
Ndryshe nga java e kaluar, kur debatet u fokusuan te rendi i ditës, këtë herë PS-ja dhe PD-ja i miratuan të tria pikat.
Palët ranë dakord që, pasi PD-ja të depozitojë zyrtarisht draftin ligjor për ndryshimet në Kodin Zgjedhor sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, ekspertët e të dyja partive të nisin punën.
Ligji për financimin e partive politike, me dakordësinë e dy bashkëkryetarëve, do t’i dërgohet Komisionit të Venecias përmes Kuvendit për një opinion përfundimtar.
Puna, sipas dakordësisë së dy bashkëkryetarëve, pritet të nisë edhe për ndryshimet që imponohen për shkak të ndryshimit të hartës territoriale, tanimë me 46 bashki. PS-ja dhe PD-ja duhet të dakordësohen për formulën e zgjedhjes së këshilltarëve bashkiakë, ndonëse në propozimin fillestar opozita ka kërkuar lista 100% të hapura edhe për parlamentet vendore.
E në rast se komisioni nuk do të arrijë të dakordësojë një produkt brenda afatit të përcaktuar, mazhoranca do ta çojë e vetme në Kuvend, njësoj si me hartën territoriale.
Bashkëkryetari demokrat i Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore ka prezantuar në mbledhjen e sotme paketën e PD-së për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, ku në thelb ka kërkuar atë që ai e cilësoi si ‘ndarje të shtetit nga partia’.
Mes pikave kryesore të paketës së propozuar nga Bylykbashi janë ndalimi i përdorimit të inspektimeve, kontrolleve dhe masave administrative si instrumente për ushtrimin e presionit elektoral.
Po ashtu, gjatë prezantimit të paketës, Bylykbashi kërkoi edhe ruajtjen e të dhënave personale të qytetarëve që shteti apo subjekte të tjera private arrijnë të kontrollojnë.
“Kemi identifikuar 8 fusha që kërkojnë ndërhyrje të posaçme:
1- Administrata publike. Mbrojtja nga presioni politik dhe hierarkik dhe garantimi i neutralitetit derisa të arrihet depolitizimi që kërkon ODIHR.
2- Pushteti normativ, fiskal dhe social. Ndalimi i përdorimit elektoral të vendimeve, lehtësive fiskale dhe përfitimeve sociale, duke miratuar ligje të posaçme, akte normative… siç është ajo që keni dëgjuar për indeksimet në prill, në kulmin e fushatës. ODIHR ka kërkuar që ndalimet të fillojnë që në dekretin e zgjedhjeve, jo 4 muaj para.
3- Buxheti, prokurimet dhe investimet. Ndalimi i përfitimeve elektorale nga fondet dhe pasuria publike, duke ruajtur njëkohësisht funksionimin normal të ekonomisë. Kjo paketë nuk synon të ndalojë funksionimin e shtetit dhe të ekonomisë.
4- Patronazhimi Ndalimi i rrjeteve që përdorin administratën, punësimin dhe shërbimet publike për të ndikuar në sjelljen politike të qytetarëve. Prania Besnike dhe regjistri i Pranisë Besnike, rast tipik në shkelje të ligjit aktual. Në fundjavë tek zyra politike, ta mbajnë shënim hallin dhe detajet e tua dhe ta zgjidhë partia hallin që ta ka krijuar vetë.
5- Kontrolli dhe pushteti shtrëngues Ndalimi i përdorimit të inspektimeve, kontrolleve dhe masave administrative selektive si instrumente për ushtrimin e presionit elektoral. Inspektoratet që përdoren si kamxhikë.
6- Të dhënat personale të qytetarëve Kjo fushë përfshin të dhënat që zotëron shteti ose që, në një mënyrë të caktuar, janë nën kontrollin e tij, por edhe ato që subjekte të tjera private arrijnë të kontrollojnë.
7- Funksioni publik dhe aktivitetet zyrtare Ndalimi i inaugurimeve, vizitave dhe inspektimeve, si dhe i përdorimit të autoritetit shtetëror nga kryeministri, ministrat dhe drejtuesit e lartë, pikërisht për të krijuar avantazhe dhe përshtypje të caktuara gjatë fushatës zgjedhore.
8- Propaganda institucionale dhe media Ndarja e informacionit publik nga propaganda në funksion të partisë në pushtet. Ne propozojmë që brenda KQZ-së të ekzistojë një funksion që shtyn shtetin jashtë zgjedhjeve sa herë ai kërkon ta invadojë në kundërshtim me ligjin”, tha mes të tjerash Bylykbashi.
Nga ana tjetër, bashkëkryetari socialist i Komisionit, Damian Gjiknuri, tha se kërkesat e PD-së ngjanin më shumë me një listë dëshirash.
Gjiknuri theksoi se koncepti i PD-së për ta parë gjithë administratën shtetërore si administratë politike është i pakuptimtë.
Sipas Gjiknurit, nuk është dëgjuar në asnjë vend të Europës që të ndalohen të drejtat politike të qytetarëve të tij, sepse për shtetin. punon
Ai theksoi se drafti që PD-ja do të propozojë për Kodin Zgjedhor do të duhet të kalojë nga ekspertët, të cilët do të shqyrtojnë nëse është ose jo në përputhje me Kushtetutën.
Gjiknuri theksoi se nëse opozita do një sistem zgjedhor me lista totalisht të hapura, atëherë sipas tij, oferta e PS është për uljen e numrit të deputetëve.
“Ekspertët presin draftin ligjor të konceptuar siç duhet, nëse është në përputhje me Kushtetutën, a krijon çakordim të veprimtarisë së rregullt shtetërore kur vjen puna te veprimet e ekzekutivit, sidomos gjatë periudhave buxhetore. Kjo është një listë dëshirash nga PD-ja, nuk ka një normë. ODIHR thotë se është qeveria që duhet të bëjë përpjekje të mos përdorë burimet administrative, apo partitë politike. Ju keni konceptin absolut që shteti duhet të ngrijë dhe administrata shtetërore të shihet e gjitha si administratë politike. Unë nuk gjej asnjë vend tjetër që të ndalojë të drejtat politike të qytetarëve të tij, sepse punojnë për shtetin. Po që nëpunësit të privohen nga e drejta politike, nuk është dëgjuar ndonjëherë. Unë e kam thënë ofertën politike të PS. Nëse doni ndryshime në sistem zgjedhor drejt një sistemi më proporcional, kundër ofertën tonë e kemi për uljen e numrit të deputetëve, qoftë edhe me lista totalisht të hapura dhe një reformë kushtetuese”, tha mes të tjerash Gjiknuri.
gijotina.com/










Discussion about this post