Humbja e sotme kundër Elbasanit në transfertë e ka rënduar edhe më tepër situatën te Dinamo në Superiore. Katër ndeshje pa fitore radhazi në kampionat, ndërsa aktualisht kanë zbritur në vendin e katërt, shumë larg objektivit madhor, titullit kampion.
Pas kësaj disfate, presidenti i dinamovitëve, Adrian Bardhi, nuk duroi dot më, duke reaguar përmes postimit të klubit në rrjetet sociale, ku shkruhej:
“Kjo nuk është Dinamo dhe kjo paraqitje është e papranueshme! Fanella legjendare e këtij klubi kërkon sakrificë, karakter dhe uri për fitore.
Jeni ndër më të paguarit në Shqipëri, në klubin më korrekt, por në fushë nuk po i përgjigjeni as besimit, as sakrificës sonë.
Nuk ka më justifikime! Kush nuk e ndien këtë fanellë dhe nuk jep gjithçka për të, lojtar apo pjesëtar i stafit, të largohet që nesër. Dinamo nuk mban askënd me zor!”
Pikërisht dy fjalët e fundit në postimin e mësipërm prekin në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe trajnerin, Ilir Daja. Edhe pse ka dy vite në “timonin” e Dinamos, trajneri 60-vjeçar ende nuk është afruar dot sa duhet, e jo më ta fitojë kampionatin.
Por kjo situatë e fundit, pa zgjidhje prej katër takimesh të njëpasnjëshme, e ka “rrëzuar për tokë” besimin e presidentit Bardhi si ndaj lojtarëve, ashtu edhe stafit.
Priten me shumë interes zhvillimet te “blutë” e kryeqytetit, ku “shkëndijat” e para sapo janë ndezur.









Discussion about this post