Tre shtetas shqiptarë, të përfshirë në një rrjet të shpërndarjes së kokainës në Britaninë e Madhe, janë dënuar me burg nga drejtësia britanike, pas një hetimi që zbuloi aktivitetin e tyre kriminal në disa zona të Wiltshire.
Bëhet fjalë për Daniela Sopikun, 26 vjeçe, Hysen Sopikun, 21 vjeç (motër dhe vëlla) dhe Alvaro Vrapin, 18 vjeç, të cilët dolën përpara Gjykatës së Kurorës në Swindon dhe pranuan akuzat për veprimtari të lidhura me trafikun e drogës, përdorimin e dokumenteve të falsifikuara dhe përfitimin e të ardhurave nga krimi.
Daniela Sopiku u dënua me 9 muaj burg, pasi pranoi posedimin e dokumenteve të falsifikuara të identifikimit me qëllim përdorimin e tyre për veprimtari të paligjshme, si dhe përfitimin dhe përdorimin e pasurive të siguruara nga aktiviteti kriminal.
Hysen Sopiku u dënua me 3 vite burg. Ai pranoi disa akuza, përfshirë përfshirjen në shpërndarjen e lëndëve narkotike të klasit A, posedimin e kokainës me qëllim shitjen, përfitimin e pasurive kriminale, drejtimin e automjetit pa leje dhe siguracion, si dhe posedimin e një objekti të përdorur për mashtrim.
Ndërsa 18-vjeçari Alvaro Vrapi u dënua me 28 muaj burg. Ai pranoi akuzat për posedimin e dokumenteve të falsifikuara të identifikimit dhe përfshirjen në shpërndarjen e narkotikëve të klasit A.
Hetimet zbuluan rrjetin e shpërndarjes së kokainës
Sipas policisë britanike, hetimi ndaj tre shqiptarëve kishte zgjatur për një periudhë të konsiderueshme dhe ishte mbështetur edhe në metoda të fshehta investigative. Provat e mbledhura zbuluan se grupi ishte përfshirë në shpërndarjen e kokainës në disa qytete dhe zona të Ëiltshire gjatë viteve 2025 dhe 2026.
Operacioni policor çoi në arrestimin e Hysen Sopikut dhe Alvaro Vrapit në muajin qershor, pasi të dy u kapën në një automjet tip Nissan Qashqai, teksa kryenin transaksione të lidhura me drogën.
Kontrollet e mëvonshme në dy zona që ata kishin vizituar po atë ditë, Biddestone dhe Giddeahall, pranë qytetit Chippenham, zbuluan sasi lëndësh narkotike me vlerë të përgjithshme mbi 11 mijë paund.
Në të njëjtën ditë, në Old Town u arrestua edhe Daniela Sopiku. Gjatë kontrolleve në ambientet e lidhura me të, policia sekuestroi pajisje që përdoreshin për aktivitetin e drogës, shuma të konsiderueshme parash, mallra luksi të markave të njohura dhe dokumente identifikimi të falsifikuara.
Mes dokumenteve të sekuestruara ishte edhe një pasaportë italiane në emër të Danielës, e cila pas verifikimeve nga autoritetet e emigracionit rezultoi e falsifikuar.
Hetimet financiare zbuluan gjithashtu se Alvaro Vrapi kishte përdorur dokumente false për të hapur llogari bankare, të cilat shërbenin për aktivitetin kriminal.
Nga verifikimi i pasurive dhe transaksioneve rezultoi se tre shqiptarët kishin përfituar së bashku më shumë se 53 mijë paund nga burime të pajustifikuara. Sipas autoriteteve britanike, asnjëri prej tyre nuk kishte burime të ligjshme të ardhurash dhe të tre ndodheshin në Britani në mënyrë të paligjshme.
Oficeri i policisë Jordan Gratton deklaroi se dënimet pasqyrojnë seriozitetin e aktivitetit kriminal të grupit, i cili kishte shpërndarë kokainë në komunitetet e Wiltshire dhe ishte përpjekur të fshihte gjurmët përmes dokumenteve të falsifikuara dhe parave të përfituara në mënyrë të paligjshme.
Sipas tij, hetimi i gjatë dhe provat e mbledhura nga policia mundësuan identifikimin e personave të përfshirë, goditjen e grupit dhe ndërprerjen e aktivitetit të tij kriminal.










Discussion about this post