Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka hedhur poshtë kategorikisht pretendimet se territori shqiptar është përdorur si bazë për kryerjen e sulmit ndaj një anijeje ruse pranë brigjeve të Bengazit në Libi, duke i cilësuar këto aludime si pjesë të një fushate të mirëfilltë dezinformimi. Gjatë një prononcimi televiziv, ministri sqaroi se goditja në fjalë ishte marrë përsipër nga Ukraina dhe ishte realizuar përmes mjeteve teknologjike që Forcat e Armatosura të Shqipërisë nuk i kanë në inventarin e tyre.
Duke shpjeguar arsyet teknike dhe procedurale që e bëjnë të pamundur një skenar të tillë, Nufi theksoi se shqetësuese në këtë histori ishte pikërisht përpjekja për ta lidhur sulmin me territorin e Shqipërisë, në një kohë kur goditja e ndërmarrë nga Ukraina është kryer me anë të dronëve ujorë që Republika e Shqipërisë nuk i posedon. Ai shtoi se edhe sikur vendi ynë t’i kishte në dispozicion këta dronë, nuk do të ndërmerrte kurrë një veprim të tillë pa pasur një komunikim dhe koordinim të plotë me Aleancën e Atlantikut të Veriut, çka e bën çdo pretendim të tillë një lajm të rremë të përhapur edhe nga disa portale turke.
Nufi e vlerësoi incidentin detar pranë Bengazit si një goditje të rëndë për flotën ruse, ndërsa paralajmëroi për pasojat e drejtpërdrejta që përshkallëzimi i luftës në Ukrainë po sjell mbi arkitekturën e sigurisë rajonale. Sipas tij, situata në konfliktin e Ukrainës ka precipituar ndjeshëm dhe po merr dita-ditës përmasa gjithnjë e më të mëdha, duke qenë se stabiliteti në Ukrainë është i lidhur ngushtë me stabilitetin në rajonin tonë.
Në vijim të analizës së tij mbi sfidat e sigurisë, ministri hodhi poshtë zërat për përpjekje ruse që synojnë largimin e Shqipërisë dhe vendeve të tjera nga NATO, duke rikonfirmuar karakterin thjesht mbrojtës të Aleancës. Duke iu referuar tensioneve të fundit në kufirin e Estonisë me Rusinë, ai paralajmëroi se incidente të vogla mund të shndërrohen lehtësisht në shkaqe për agravime të rrezikshme ndërkombëtare, teksa vuri në dukje rritjen e kërcënimeve hibride dhe ndërthurjen e luftës konvencionale me operacionet në hapësirën digjitale, duke sjellë në vëmendje sulmin e rëndë kibernetik që goditi Shqipërinë në vitin 2022.
gijotina.com/









Discussion about this post