Mes debateve të forta dhe akuzave të ndërsjella ndërmjet mazhorancës dhe opozitës, Kuvendi ka miratuar dy aktet normative të qeverisë, pjesë e paketës antidhunë, të cilat parashikojnë ashpërsimin e masave ndaj personave që kryejnë akte dhune gjatë tubimeve dhe protestave.
Akti normativ “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8773, datë 23.04.2001, ‘Për tubimet’”, u miratua me 79 vota pro dhe 21 kundër.
Ndërsa akti normativ “Për shpërblimin e dëmit civil të shkaktuar ndaj subjekteve të prekura nga aktet e dhunshme gjatë tubimeve dhe rregullimin e pasojave”, mori 80 vota pro dhe 20 kundër.
Në qendër të përplasjeve gjatë seancës plenare ishte vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e dispozitës që parashikon gjobën prej 5 mijë lekësh për bllokimin e rrugëve gjatë protestave.
Përfaqësuesit e opozitës kërkuan ndërprerjen e shqyrtimit të aktit normativ, me argumentin se Kuvendi nuk mund të vazhdonte procedurat për miratimin e një akti që ishte pezulluar pjesërisht nga Gjykata Kushtetuese.
Deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, e konsideroi vendimin e Kushtetueses një paralajmërim serioz për qeverinë, duke nënvizuar se e drejta e qytetarëve për të protestuar nuk mund të kufizohet nëpërmjet vendosjes së gjobave.
Në të njëjtën linjë u shpreh edhe deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, e cila kërkoi ndërprerjen e diskutimeve. Sipas saj, aktet normative prekin të drejtat themelore të qytetarëve, ndërsa mazhoranca duhet të respektojë vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese.
Pretendimet e opozitës u kundërshtuan nga kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, i cili argumentoi se Kushtetuesja nuk kishte pezulluar aktin normativ në tërësi, por vetëm dispozitën që parashikon gjobat për bllokimin e rrugëve. Manja theksoi se Kuvendi kishte kompetencën kushtetuese për të vijuar shqyrtimin dhe miratimin e aktit brenda afatit 45-ditor.
Debati parlamentar u zhvendos edhe te protestat e fundit në kryeqytet, me mazhorancën që akuzoi opozitën për nxitjen e dhunës dhe mosdistancimin nga sulmet me molotovë ndaj efektivëve të policisë dhe institucioneve.
Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, bëri të ditur se gjatë protestave janë ndaluar mbi 200 të mitur, ndërsa nga më shumë se 300 persona të lënduar, mbi 200 kanë qenë punonjës të Policisë së Shtetit.
Sipas ministrit, nëntë punonjës policie janë pezulluar nga detyra, ndërsa 50 raste të tjera janë duke u shqyrtuar administrativisht për tejkalim të kompetencave.
Demo i kërkoi opozitës të distancohej nga aktet e dhunës, duke ngritur gjithashtu pikëpyetje mbi përfshirjen e mundshme të Partisë Demokratike në organizimin e grupeve që ushtruan dhunë gjatë protestave.
Akuza ndaj demokratëve ngriti edhe kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili pretendoi se në selinë e PD-së ishin strehuar personat që hodhën molotovë ndaj policisë. Balla riktheu në vëmendje edhe ngjarjet e 21 janarit 2011, duke kërkuar hetimin e të gjithë zinxhirit komandues për vrasjen e katër protestuesve.
Nga ana tjetër, opozita akuzoi Policinë e Shtetit për përdorim të tepruar të forcës ndaj qytetarëve gjatë tubimeve, si dhe për mungesë përgjegjësie ndaj efektivëve që, sipas saj, kanë ushtruar dhunë ndaj protestuesve.
Seanca plenare u karakterizua gjithashtu nga përplasje personale dhe replika me tone të ashpra. Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u përfshi në debate me ministrin e Kulturës, Blendi Gonxhja, dhe deputetin socialist Erion Braçe, ndërsa Ulsi Manja shkëmbeu akuza me deputetët Agron Shehaj dhe Erald Kapri.
Pavarësisht kundërshtimeve të opozitës, mazhoranca vijoi me miratimin e dy akteve normative, duke mbrojtur qëndrimin se paketa antidhunë nuk cenon të drejtën kushtetuese për protestë paqësore, por synon të ndëshkojë aktet e dhunës, dëmtimin e pronës dhe sulmet ndaj institucioneve.
Megjithatë, dispozita që parashikon gjobën prej 5 mijë lekësh për bllokimin e rrugëve gjatë protestave mbetet e pezulluar deri në shqyrtimin përfundimtar të çështjes nga Gjykata Kushtetuese.









Discussion about this post