Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, bëri një denoncim të fortë ndaj qeverisë Rama kur tha se po i bën preson SPAK që të mos arrestojë politikanët e përfshirë në aferën e inceneratorëve.
Nga selia blu, Basha i kërkoi Ramës të heqë dorë nga presioni, ndërsa i bëri thirrje dhe SPAK të mos kthejë skuadrat e arrestimit mbrapsht, teksa i kujtoi Strukturës së Posaçme se ruhen nga amerikanët.
“I bëj thirrje sot Ramës, hiq dorë nga presioni që po i bën SPAK. Lejo SPAK e BKH të kryejnë të gjitha veprimet hetimore, përfshirë prangosjen e atyre, që në gjendje të lirë, shkatërrojnë prova apo janë rrezik arratie. I bëj thirrje edhe SPAK të mos intimidohet nga presioni i Edi Ramës. Paguhesh nga taksat e shqiptarëve, mbështetesh nga taksat e amerikanëve dhe evropianëve, ke mbështetjen e shqiptarëve, për të zbatuar ligjin e për të çuar para ligjit politikanët e korruptuar. Mos e hani presionin nga ky grup i strukturuar. Keni mbrojtje speciale, rroga speciale, dieta speciale nga amerikanët, vëruni prangat e mos hani presionin. Mos i ktheni mbrapsht skuadrat e arrestimit nga presioni i Edi Ramës”, u shpreh Basha.
Discussion about this post