Spitali i Traumës në vendin tonë po shërben si një “lavatriçe” nga qeveria për të vjelë paratë e taksapaguesve. Pak ditë më parë Gijotina.com ka denoncuar një tender abuziv të këtij institucioni për blerje oksigjeni, i cili më pas u anulua na KPP për konstatimet që u evidentuan. Por, kjo nuk ndikoi aspak që enti kontraktor, sigurisht me lejen e Ministrisë së Shëndetësisë, që të hap një tjetër tender, i cili iu siguron para të vjedhur për katër vitet e ardhshme. Bëhet fjalë për tenderin me objekt “Shërbim pastrimi, për Spitalin Universitar të Traumës”, i cili kap vlerën e 137,991,275 lekëve. Të gjitha faktet ndër vite, si dhe dokumentet e publikuar pak ditë më parë për ketë tender, tregojnë se fituesi është i paracaktuar dhe procedurat janë krejtësisht abuzive.
Kjo pasi, tenderi është publikuar me procedurë të hapur mbi kufijtë monetar, çka do të thotë se çdo gjë në kontratë është e paracaktuar, duke përfshirë këtu edhe kompaninë pse jo. Pasi prej vitesh këtë tender vazhdon ta fitojë i njëjti konkurrent “Sori –al SHPK’. Ky tender zhvillohet çdo 3 vjet, pasi aq është afati i kontratës, pikërisht këtu kthemi 3 vjet pas.
Abuzim që përsëritet dhe fond që fryhet
Në 2018, për këtë shërbim në Spitalin e Traumës u hap një garë, por në fund të gjithë konkurrentët u përjashtuan pa asnjë motiv dhe tenderi iu “dhurua” kompanisë “Sori –al SHPK’. Që, sipas dokumenteve të mbledhura nga Agjencia e Prokurimit Publik, do të jetë sërish fituese, duke vjelë para edhe për katër vitet e ardhshme. Pra, shkeljet përsëriten, Ministria e Shëndetësisë zhvillon për të dytën herë tender me vlerë marramendëse pa garë dhe me fond limit të fryrë. Kjo shkelje është evidentuar edhe nga “Open Procurement Albania”, që e cilëson si një projekt me risk të lartë.
“Ligji shqiptar i lejon këto lloj procedurash. Shpesh këto procedura më shumë se mungesë konkurrence në treg shfaqin opsione të formulimit të kritereve dhe afateve për dorëzim dokument në favor të një kompanie të paramenduar klienteliste. Këto tenderë meritojnë të konsiderohen të ekspozuara dhe me risk”, thuhet në një sqarim të faqes. Këtë gjë Open Procurement Albania e ka theksuar edhe në 2018, por jo vetëm që nuk u mor parasysh nga ministria përgjegjëse, por këtë herë ka vendosur t’ia shtojë fondin kompanisë që merret me pastrimin e spitalit. Këtë her kompania fituese do të marrë 350 mijë euro më shumë, pasi tenderi i parë ishte vetëm 97 milionë lekë.
Ndërkohë skandali thellohet, pasi Gijotina.com ka evidentuar se pavarësisht fondit që shtohet, kontrata përfshinë vetëm pastrimin e ambienteve të brendshme dhe jo atyre të jashtme. Ndërsa në hartën e publikuar nga APP, bie në sy se nga ky projekt mund të përfitojë shërbim pastrimi edhe një spital privat, konkretisht Spitali Amerikan. Gjithsesi kjo mbetet për t’u parë në kohën kur do të publikohet dokumenti final i tenderit.
Kompania e privilegjuar
Kompania e parapërcaktuar për këtë tender, që fitoi edhe 8 vite më parë pa garë, është “Sori –al SHPK’. Kjo kompani administratohet nga Alma Tafanin, e cila njihet edhe si ish-bashkëshortja e Nikolin Jakës, kryetari i Dhomës së Tregtisë, i përfolur vazhdimisht si një nga përfituesit më të mëdhenj të tenderëve publikë.
Esmerlada Hida/ Gijotina.com/
Discussion about this post